Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ka treguar se çfarë sigurie po iu jepet qytetarëve serb në veri të vendit, të cilët me kërcënime po u kërkohen të largohen nga vendet e punës.
Në një konferencë për medie, Haxhiu kur u pyet për veprimet e institucioneve për të ofruar siguri, u shfaq e nervozuar duke thënë se këso konkluzione nuk duhet të bëhen.
Ministrja Haxhiu e fajësoi Beogradin se po i kërcënon qytetarët serb në veri, duke thënë se grupet kriminale me dirigjimin e presidentit Vuçiq po i kërcënojnë serbët atje.
“Drejtori i Policisë po ashtu ministri i Punëve të Brendshme kanë folur për operacionet që janë ndërmarrë në këto drejtim, pra nuk është në rregull të thuani se po i lëni qytetarët serb në mëshirë të fatit. Ne po themi që ne jemi në anën e qytetarëve serb Qeveria e Kosovës në vazhdimësi u ka bërë thirrje zyrtarëve që mos ti bojkotojnë punën e tyre dhe mos t’i dorëzojnë mandatet e tyre, mirëpo një gjë duhet ta dimë se ata po kërcënohen nga Beogradi”, tha Haxhiu.
“Policia e Prokuroria i adresojnë rastet e djegies së veturave, pra kjo është përgjegjësia institucionale që kanë. Ne jemi të vetëdijshëm për kërcënimet që u bëhen qytetarëve serb nga Beogradi dhe këtë e kemi adresuar edhe me partnerët tanë, në fakt ato po shihen”, tha tutje Haxhiu.