Dhjetë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – kanë dhënë dorëheqje nga mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë serbë në institucionet në veri të vendit.
Dorëheqjet kanë nisur fundjavën e kaluar, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.
Se çfarë do të ndodhë tani me mandatet vakante, për Radion Evropa e Lirë flasin ekspertë të Ligjit për zgjedhje dhe të Kushtetutës së Kosovës.
Cili është hapi i parë pas dorëheqjes së deputetëve?
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt të vitit 2021, Lista Serbe ka fituar më së shumti vota nga partitë e komunitetit serb në Kosovë.
Sipas rezultatit të këtyre zgjedhjeve, mandatet i kanë fituar deputetët: Sllavko Simiq, Igor Simiq, Millana Nikolliq, Zoran Mojsilloviq, Ivan Todosijeviq, Verica Qeraniq, Branisllav Nikolliq, Millosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq dhe Jasmina Deçiq.
Megjithatë, Todosijeviq nuk e ka marrë mandatin e deputetit, për shkak të një dënimi nga Gjykata në Prishtinë, dhe vendin e tij e ka zënë Dragana Antonijeviq.
Sipas procedurave që parasheh edhe ligji, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë më 8 nëntor kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që t’i rekomandojë emrat, të cilët do t’i zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe që kanë dhënë dorëheqje.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë parasheh që në rast të lirimit të një mandati nga një deputet – për çfarëdo arsyeje, përfshirë edhe dorëheqjen – zëvendësimi i tij bëhet “nga kandidati i ligjshëm në radhë i së njëjtës gjini, i cili ka fituar numrin më të madh të votave” në emër të listës me të cilën ka garuar.
Në zgjedhjet e fundit, Lista Serbe ka garuar me 20 kandidatë, që do të thotë se KQZ-ja mund t’i propozojë 9 kandidatët e mbetur për t’u betuar si deputetë.
Këta kandidatë janë: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetisllav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Millan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Ollivera Zdravkoviq.
Komisioni Qendror Zgjedhor nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje të Radios Evropa e Lirë deri në publikimin e këtij artikulli.
Por, ish-kryetarja e KQZ-së dhe gjyqtarja, Valdete Daka, thotë se për deputetë mund të propozohen edhe serbë që kanë garuar në zgjedhje nga subjekte të tjera politike.
“Nëse ata [kandidatët nga Lista Serbe] refuzojnë ta marrin mandatin, aplikohet e njëjta procedurë derisa të ketë kandidatë nga ai subjekt. Nëse nuk ka nga ai subjekt, atëherë kërkohen nga subjektet që kanë garuar në zgjedhjet e fundit të përgjithshme për vendet e rezervuara për etnitetin serb”, thotë Daka për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë garuar edhe dy subjekte të tjera nga komuniteti serb: Lidhja Demokratike Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Kandidatë nga e para kanë qenë: Sllavisha Petkoviq, Mihajllo Shqepanoviq, Jasmina Zdravkoviq, Srbolub Andrejeviq dhe Esada Rexhepi, ndërsa nga e dyta: Millan Dabiq, Cvetko Velkoviq dhe Rada Trajkoviq.
Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të jetë gati tërësisht funksional edhe nëse pozitat e deputetëve nuk plotësohen, thotë profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Visar Morina.
“Nuk është se ka ndonjë pengesë kushtetuese që Kuvendi i Kosovës të mos mund të funksionojë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Morinës, votat e deputetëve nga komunitetet pakicë janë të domosdoshme vetëm kur në Kuvend dalin në votim ndryshimet kushtetuese.
Më 7 nëntor, kur deputetët serbë kanë dorëzuar dorëheqjet, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se puna e këtij institucioni nuk rrezikohet.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se plotësimi i vendeve në Kuvend mbetet i diskutueshëm, në qoftë se përfaqësuesit tjerë të Listës Serbe nuk i marrin mandatet e deputetëve.
Kjo, pasi partitë e tjera të komunitetit serb së bashku kanë vetëm 8 kandidatë për deputetë.
Cakolli thotë se në këtë situatë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të parë se si mund të procedohet tutje.
Por, profesori Morina shprehet skeptik nëse Gjykata Kushtetuese mund të japë opinion në lidhje me këtë situatë.
“Gjykata Kushtetuese, viteve të fundit, ka manifestuar tendenca të vetëpërmbajtjes gjyqësore. [Për] raste të tilla të dhënies së opinioneve, apo këshillave, apo interpretimeve kushtetuese të kësaj natyre, gjykuar nga praktika e viteve të fundit, nuk është se ka dhënë shenja se është e gatshme të japë”, thotë Morina.
Përveç dhjetë deputetëve serbë, dorëheqje nga pozita kanë dhënë edhe zyrtarët serbë në sistemin e drejtësisë, policisë dhe atë komunal në veri të Kosovës, si dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, i cili po ashtu vjen nga komuniteti serb.
Ata e kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Beogradi zyrtar, që ushtron kontroll mbi ta, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Prishtina zyrtare nuk heq dorë nga vendimi i saj.