Ole Gunnar Solskjaer mund ta ketë ringjallur Manchester Unitedin, mirëpo ish-mesfushori i “Djajve të kuq” dhe Liverpoolit, Paul Ince, beson se pasi që gjërat nuk mund të bëheshin më keq se me Jose Mourinhon, kushdo që do të emërohej në pozitën e trajnerit do ta përmirësonte skuadrën.
Jose Mourinho u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit më 18 dhjetor të vitit të kaluar për shkak të rezultateve dhe paraqitjeve të dobëta të skuadrës së tij deri atëherë, transmeton Gazeta Express.
Në vend të tij, vetëm 24 orë më vonë, u emërua ish-sulmuesi legjendar i klubit, Solskjaer, i cili do të jetë trajnerit i skuadrës angleze deri në fund të këtij sezoni, kur do të kthehet te klubi të cilin e drejtonte më herët, Molde nga Norvegjia.
Përderisa me Mourinhon dukej se sezoni kishte marrë fund për Manchester Unitedit, tani djelmoshat e Solskjaer kanë marrë më shumë vetëbesim për shkak se që nga emërimi i trajnerit të ri, ata i kanë fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara, gjithsej gjashtë.
“Nuk mund ta mbivlerësojmë atë që e ka bërë Ole. Le të jemi të sinqertë, gjërat nuk mund të ishin përkeqësuar në Manchester United para se të largohej Jose Mourinho. Kishte një re të zezë mbi të gjithë klubin, lojtarët, tifozët dhe stafin”, ka thënë Ince.
“Kjo gjë e ndikonte edhe paraqitjen e skuadrës në fushë. Ole erdhi, një fytyrë miqësore në klub me një ndikim qetësues. Si pasojë e kësaj, duket se lojtarët po tentojnë të luajmë më mirë tani. Prangat janë larguar, mirëpo kjo nuk do të thotë se Solskjaer është personi i duhur për këtë punë”.
“Unë mund të kisha shkuar dhe ta bëja të njëjtën gjë, edhe Steve Bruce do të mund ta bënte këtë. Kushdo që do të emërohej si trajneri, do të mund të arrinte të njëjtat gjëra si Solskjaer.. Nuk është e vështirë t’i japësh lojtarëve liri dhe ta përmirësosh atmosferën”.
“Për vitet e ardhshme, atë që klubi duhet ta bëjë është ta gjejë një trajner që me të vërtetë mund të hyjë në garë kundër Manchester Cityt dhe Liverpoolin për titullin e Premierligës. Dhe nga opsionet në dispozicion, [Trajneri i Tottenhamit, Mauricio] Pochettino është njeri i duhur për këtë punë”.