Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës vendosën të largohet nga institucionet qendrore dhe ato lokale në katër komunat e veriut të Kosovës.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit. Këtë vendim lista Srpska e mori pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Ky i fundit u suspendua pasi refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, tha kryetari i Listës Srpska Goran Rakiq, i cili edhe vet dha dorëheqjen nga pozita e ministrit në qeverinë e Kosovës.
Pas këtij vendimi dorëheqjen e dhanë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe tö prokurorisë në veri, duke zhveshur kështu uniformat e policisë. Rakiq tha se vendimi për largimin nga institucionet vlen derisa Prishtina zyrtare “të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”.
“Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”, tha Goran Rakiq.
Kurti: Serbët e Kosovës të ruajnë qetësinë, paqen e sigurinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në reagimin e tij pas vendimit të Listës Serbe, që të largohen nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit, tha se serbët e Kosovës duhet tö ruajnë qetësinë, paqen e sigurinë, duke shtuar se ai “nuk është kryeministër kundër serbëve, por Beogradi është kundër tij”.
“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish-zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i Jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish-ministri i Informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, shkroi Kurti në facebook.
Duke ju drejtuar në vazhdim autoriteteve të Beogradit, Kurti shkroi se, ”Me marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999, Serbia ka kapitulluar dhe i ka thënë lamtumirë Kosovës. Nuk ka nevojë të humbim kohë e të vazhdojmë të vonohemi edhe në vitin 2022. Duke e përkrahur Milosheviqin dhe Sheshelin para çerek shekulli e keni lënë Kosovën. Duke e përkrahur Putinin e Lavrovin sot, po e lini Evropën”, tha Kurti.
“Gracka destabilizuese të Serbisë”
Presidenca e Kosovës tha se Serbia po shkel njëanshëm të gjitha marrëveshjet e Brukselit për shpërbërjen e strukturave të saj ilegale në Kosovë”. “Një frikësim i tillë nuk do të funksionojë. Institucionet e Kosovës do të mbeten multietnike dhe përfaqësuese të të gjitha komuniteteve”, shkroi në Twitter Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes Osmani.
Kurse partia politike opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, ftoi qytetarët në veri për qetësi, ndërsa u bëri thirrje institucioneve të Kosovës për koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tjerë evropianë.
“Në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bie në grackat destabilizuese të Serbisë, por që synim ka integrimin e vazhdueshëm e të plotë të serbëve të Kosovës e që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Vuçiq telefonon me Christopher Hill
Pas zhvillime të sö shtunës në veri të Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bëri të ditur se ka pasur një bisedë telefonike me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill. “Në një bisedë të gjatë dhe kuptimplote telefonike me ambasadorin Hill, ritheksova se Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes, respektimin e së drejtës publike ndërkombëtare dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara”, shkroi Vuçiq.
Sipas tij, “gjithashtu theksova tmerrin e serbëve me sjelljen e Kosovës dhe lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, të cilat e vënë në pikëpyetje sigurinë dhe stabilitetin e tyre në të gjithë rajonin”. Ambasadori Hill, nga ana e tij, ka kërkuar nga presidenti Vuçiq që Serbia të sillet me përgjegjësi serioze dhe të mos marrë pjesë në asnjë mënyrë në rrezikimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.
Në ditë më parë, Vuçiq është takuar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak. Ky i fundit shkroi në Twitter se “takimi me Vuҫiq ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë”. “Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, shkori Lajçak.
Tri fazat për zbatimin e vendimit për targat serbe
Qeveria e Kosovës vendosi që zbatimin e vendimit për targat serbe ta shkallëzoi në tri faza, duke mos përfillur kështu kërkesën e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së që këtë vendim ta shtyjë për 10 muaj. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e vendimit për targat. Faza e parë e zbatimit të vendimit të qeverisë për targat përfshin, qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill të vitit të ardhshëm dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS. Në Kosovë mendohet se ka rreth 10.000 makina me targa serbe. Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës edhe verën e kaluar, serbët lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit, shkruan DW.
Ndërkohë, KFOR-i reagoi dhe tha se po punon për ta ruajtur sigurinë për njerëzit në Kosovë.
KFOR-i bëri thirrje që çështjet të zgjidhen përmes dialogut konstruktiv.
“Ne po e monitorojmë situatën dhe po bashkëpunojmë ngushtë me liderët në Beograd dhe Prishtinë si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, për ta ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thujet në deklaratë.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të adresojnë dhe diskutojnë dallimet përmes dialogut konstruktiv. Sillni përparim në shoqëri! Shprehni mendimet tuaja në mënyrë paqësore dhe kërkoni kompromise!”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga KFOR-i.
Emisari Special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka treguar se është plotësisht dakord me zëvendës/sekretarin e NATO’s, Mircea Geoana, lidhur me deklarimin e këtij të fundit se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.
Lajcak përmes një cicërime në Twitter e falënderoi Geoana për koordinimin e shkëlqyer mes BE’së dhe NATO’s.
“Plotësisht dakord me@Mircea_Geoana. Faleminderit për koordinimin e shkëlqyer të Evropës dhe NATO’s, – si me lidershipin në nivelin më të lartë ashtu edhe @KFOR’it në terren”.
.Zv/sekretari i NATO’s, në deklarimin e tij tha se janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë.