Presidentja Vjosa Osmani e ka mirëpritur nënshkrimin e tri marrëveshjeve sot në kuadër të procesit të Berlinit. Ajo ka theksuar rëndësinë e këtij procesi drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.
Osmani tha se këto marrëveshje forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe heqjen e barrierave administrative mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja Osmani ka potencuar se marrëveshjet për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve, do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në heqjen e barrierave administrative në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke u afruar edhe më shumë vlerat dhe praktikat evropiane të bashkëpunimit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.
Presidentja Osmani e ka falënderuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian për “përkushtimin e tyre ndaj integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”, duke thënë se “Kosova do të vazhdojë të mbetet palë plotësisht e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit rajonal në frymën e barabarësisë”.