Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke bërë “show” për çështjen e konvertimit të targave nga ato ilegale në ato RKS, po përgatit terrenin për dorëzimin e Kosovës njëherë e përgjithmonë.
Kështu të paktën mendon nënkryetari i Partisë Popullore serbe, Miroslav Aleksiq, i cili në një intervistë për mediumin serb, Nova.rs, ka nënvizuar faktin se Vuçiq duke dërguar aeroplanë në kufirin me Kosovën po legjitimon faktin se tashmë Kosova është e humbur.
“Vuçiq e ka larguar Serbinë nga Kosova dhe ky është fakt”, ka deklaruar Aleksiq për mediumin serb, Nova.rs.
“Kam qenë në Veri dhe Jug të Kosovës, nuk ka asgjë të ngjashme me atë që prezantohet në mediat në Serbi, serbët në Kosovë problemin më të madh e kanë me Listën Serbe, e cila i shantazhin dhe i ngacmon popullatën serbe atje”.
Sipas tij Lista Serbe, është një organizatë kriminale që i mbanë serbët e Kosovës nën okupim.
“Për këtë më kanë bindur serbët të cilët jetojnë në Lipjanë, Graçanicë dhe Mitrovicë”, ka shtuar ai.