Temperaturat e mëngjesit që arritën 30 gradë Celsius në Spanjë gjatë tetorit mund të kenë kënaqur turistët, por po shkaktojnë shqetësim tek shkencëtarët.
Mërkuri po rritet shumë mbi normalen në të gjithë Evropën, nga Spanja në Suedi. Pas një vere të karakterizuar nga vapë të përsëritura, në Evropë mbizotërojnë temperatura të jashtëzakonshme edhe në fillim të vjeshtës, që është shenjë e përshpejtimit të ndryshimeve klimatike.
klimatike.
“Ky do të jetë tetori më i ngrohtë që nga viti 1961.”
“Muaji nuk ka mbaruar ende, por tashmë mund të themi me pothuajse siguri se do të jetë muaji më i ngrohtë (në Spanjë) që nga viti 1961, kur filluan të mblidheshin të dhënat”, tha Ruben del Campo nga shërbimi spanjoll i motit Aemet, duke shtuar se nëse merren parasysh të dhënat historike, ky tetor në Spanjë është më i ngrohti në njëqind vjet, transmeton FrontOnline.
“Një, dy ditë mbi 30 gradë është normale” për Spanjën, tha ai. “Por kaq shumë ditë, jo. Këto janë temperaturat e verës dhe ne jemi tashmë në vjeshtë.”
Të premten në mëngjes, resorti verior i San Sebastian regjistroi një temperaturë prej 30.3 gradë Celsius në orën 8:30 të mëngjesit, shumë mbi mesataren sezonale. Ditët e fundit, zjarret shpërthyen në Bask, ku ndodhet San Sebastiani, ndaj autoritetet ndaluan skarat dhe fishekzjarrët.