Bashkimi Evropian shprehu zhgënjimin që Qeveria e Kosovës nuk dëgjoi këshillat e bllokut dhe të Shteteve të Bashkuara për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.
Në një komunikatë të BE-së thuhet se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e vjetra “por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”.
Ndonëse vendimi është një hap në drejtimin e duhur, thuhet në komunikatë, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët”.
Më tej komunikata thekson se marrëveshja e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12 mujor për procesin e konvertimit i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe Shtetet e Bashkuara. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur” këshilla, thuhet në komunikatë.
Bashkimi Evropian nënvizon se është e domosdoshme ruajtja e qetësisë. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë qëndrueshmërinë në terren, veçanërisht në veriun e Kosovës”.