Mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja me kushtet atmosferike e shpeshherë edhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar janë disa nga rregullat që vozitësit jo rrallë herë i shkelin. E si pasojë e kësaj, aksidentet dhe vetaksidentet janë të pashmangshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson brenda dy ditësh në qytete të ndryshme të Kosovës kanë ndodhur katër aksidente, ku si pasojë janë lënduar pesë persona.
Në rrugën ‘Iliria’ në komunën e Vitisë dy vetura janë ndeshur mes vete, me ç’rast shoferja e njërës nga automjetet ka përfunduar në spital si pasojë e lëndimeve të marra. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mosrespektimit të përparësisë së kalimit.
Po ashtu në rrugën Prizren – Landovicë si pasojë e rreshtimit të parregullt nga shoferi i kamionit për mbeturina, është shkaktuar aksident trafiku pasi është ndeshur me një veturë civile. Nga aksidenti ka mbetur i lënduar një person, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren.
E një motoçiklist i cili nuk përshtati shpejtësinë e automjetit me kushtet e rrugës ka shkaktuar vetaksident në fshatin Biqevc të Kaçanikut. Si pasojë e kësaj, i mituri është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj. Për shkak të natyrës së lëndimeve, i njëjti është transferuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Në një aksident trafiku janë përfshirë sot edhe dy automjete në rrugën ‘Imer Krasniqi’ në Malishevë. Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident, dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve të rrugës, me ç’rast shoferi i njërës veturë ka humbur kontrollin mbi timon.
Kujtojmë se aksidentet në trafik janë një dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku për çdo ditë regjistrohen dhjetëra të tilla në të gjitha qytetet e Kosovës, duke rrezikuar kështu jetën e shoferëve dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.