Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas Mbledhjes së Qeverisë është deklaruar për vendimin e ri për targat RKS.
Kurti ka bërë të ditur se nga 1 nëntori do të fillojë një implementim më i zbutur sa i përket konvertimit të targave ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës, raporton Indeksonline.
“Ka një fushatë agresive, kriminale që vije nga fqinji ynë verior, kundër serbëve të Kosovës, kjo na ka bërë të mendojmë që zbatimin e vendimit assesi mos ta shtyjmë por ta përshkallzojmë dhe zëvendësojmë atë” tha Kurti.
I pari i Qeverisë tregoi se si do të implementohet ky vendim për targa.
“Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës” deklaroi kryeministri.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ka pasur interesim të vogël sa i përket regjistrimit të targave, por që Qeveria nuk do të zbrapset nga ky vendim.
“Janë regjistruar 20 vetura, ku pronarët e tyre kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë dhe kanë marrë ato zyrtare RKS. Ne jemi të interesuar që të dorëzohen këto targa ilegale… Prej 21 prillit të vitit të ardhshëm nuk do të lejohet lëvizja me targa të paregjistruara në RKS” deklaroi Sveçla.
Ai tha se nuk ka arsye për përshkallëzim të situatës në Veri.
“Nuk ka kurrfarë arsye që të ketë përshkallëzim të situatës atje. Vendimi është i marrë ligjshmërisht dhe institucionet janë të përshkushtuara që ky vendim të implementohet me përpikmëri.