Jo rrallë herë viktima të krimit gjatë angazhimit në detyra operacionale bien edhe pjesëtaret e forcave të rendit. Nga formimi i Policisë së Kosovës më 1999 e deri më tash 22 zyrtarë policorë kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa janë lënduar 359 zyrtarë policorë, raporton Gazeta Sinjali.
Nga ana tjetër pjesëtaret e lënduar përkrahen nga Policia dhe Sindikata e saj.
Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, tha për Gazetën Sinjali se nga themelimi i Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrave zyrtare janë lënduar 359 zyrtarë policorë. Këtu përfshihen lëndimet e rënda dhe ato të lehta.
Sipas tij kompensimet për këta të lënduar bëhen nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e cila e funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës.
“Sindikata e Policisë është në kontakt të vazhdueshëm me Drejtorinë e Shërbimeve Shëndetësore dhe me Menaxhmentin për mundësinë e realizimit të benificioneve të të lënduarve, kurse nga Sindikata ndihmohen me mjete financiare dhe rehabilitim në bajë për të gjithë ata që kanë kërkesa”, tha Zeqiri.
Nga Zyra për Media e Policisë, tregojnë për Gazetën Sinjali, se që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 22 zyrtarë policorë kanë rënë në kryerje të detyrës zyrtare, të cilët janë shpallur heronj.
“Po ashtu gjatë angazhimit në detyra dhe planifikime operacionale ka pasur zyrtarë policorë të lënduar në detyrë në numër të konsiderueshëm, ku të njëjtit për lëndimet e tyre sipas procedurave janë përkrahur nga PK-ja, në këtë rast nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore”, theksojnë nga Policia.
Nga Policia tregojnë për benefitet që ju takojnë pjesëtarëve të lënduar në detyrë, e ato janë: aprovime të pushimeve mjekësore sipas rekomandimeve të mjekëve të lëmisë përkatëse, kompensimet materiale për tretmanët mjekësore dhe terapinë, tretmanët rehabilituese; përkrahje profesionale nga stafi i DSHSH-së (vizita në QKUK/shtëpi) dhe kompletim të lëndës për shërim jashtë vendit.