Mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja me kushtet atmosferike e shpeshherë edhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar janë disa nga rregullat që vozitësit jo rrallë herë i shkelin.
E si pasojë e kësaj,
Disa prej tyre përfundojnë me lëndime të rënda e disa të tjerë me fatalitet.
Vetëm gjatë së martës të 18 tetorit janë regjistruar 7 aksidente në trafik me lëndime të rënda.
Në Prizren, një shofere me të arritur afër një pompe derivatesh, për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së automjetit me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin mbi timon dhe ka dalë jashtë rrugës duke goditur një shtyllë ndriçimi. Si pasojë e aksidenti janë lënduar shoferja dhe pasagjerja të cilat janë dërguar për tretman mjekësor në spital.
Edhe në Viti për të njëjtën arsye, një shofer i moshës së shtyrë ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe është përplasur në një depo të mermerit dhe granitit. Si pasojë e aksidentit, shoferi ka kërkuar ndihmë mjekësore në QMF në Viti.
E në Klinë, në rrugën “Ymer Berisha” janë përfshirë në aksident një veturë dhe një biçikletë. Për pasojë biçiklisti është lënduar rëndë dhe nga spitali i Pejës është transferuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur kur vetura dhe biçikleta po qarkullonin në të njëjtën rrugë dhe më pas biçikleta ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar në tokë pas kontaktit me veturën.
Ndërsa në fshatin Berivojcë të Kamenicës dyshohet se njëra nga veturat ka kryer kthim të pasigurt dhe është ndeshur me motoçikletën që po vinte nga ana e kundërt.
Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të lënduar dy persona, përfshirë një vajzë 5 vjeçare. Dy të lënduarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Gjilanit, ku shoferi i motoçikletës mbetet për trajtim të mëtutjeshëm për shkak të lëndimeve të rënda.
Kurse në Prishtinë në dy raste të ndara, të përfshira në aksident kanë qenë automjetet e Policisë së Kosovës, raporton Sinjali.
Në fshatin Barilevë një traktor ka aksidentuar automjetin e policisë derisa ky i fundit ishte i parkuar. Shkaku i aksidentit është mosmbajtja e distancës anësore.
Në rastin e dytë nga aksidenti ka pasur vetëm dëme materiale.
Në Partesh, katër persona janë lënduar nga aksidenti në komunikacion.
Si pasojë e mosmbajtjes së krahut të djathtë të lëvizjes përgjatë përballë kalimit, me ç‘rast dy automjetet janë përplasur direkt me njëra tjetrën. Si pasojë e aksidentit janë lënduar katër persona të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Gjilanit.
Tre nga ta janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa njëri mbetet në trajtim të mëtutjeshëm në spital.