Të hënën do të mblidhe Kryesia e Kuvendit.
Kuvendi ka njoftuar se në mbledhjen që do të mbahet prej orës 10:00, në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i projektligjit për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19, transmeton Zeri.info.,
Ditë më parë, deputetja e VV-së ka deklaruar se janë kundër projektligjit për faljen e gjobave për shkelësit e masave anti-COVID.
Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nga VV tha se askush nuk ka pasur të drejtë që me veprime të papërgjegjshme të përhap virusin dhe të shkaktojë rrezik të përgjithshëm.
“Askush nuk ka pas të drejtë që me veprime të papërgjegjshme ta përhapë virusin dhe të shkaktojë rrezik të përgjithshëm në popullatë”, tha ajo.
Mulhaxha-Kollçaku shtoi se për shkak të vonesave për shqyrtim të këtij projektligji, tashmë ky dokument nuk ka asnjë kuptim.
“Prandaj ky ligj e ka humbur edhe kuptimin e vet dhe qytetarët nuk mund t’i ndajmë në të përgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm. Në ata që janë përgjigj dhe janë të vetëdijshëm që i kanë shkelë edhe ligjet që ishin aktuale por edhe të gjitha vendimet se e drejta e dikujt përfundon kur cenohet e drejta e tjetrit”, tha ajo.
Ndryshe, gjatë mbledhjes së nesërme në Kryesi do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”, si dhe disa raporte financiare.