Dy javë më parë, kreu i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dha dorëheqje nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ai tha se po largohet nga kjo pozitë për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Kryeministri e liroi atë nga detyra dhe menjëherë e caktoi zëvendësuesin e tij, Fehmi Hoti. Ky i fundit vazhdon të jetë Ushtrues Detyre derisa të emërohet Drejtori i Përgjithshëm.
Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallë konkurs për Drejtor të Përgjithshëm i cili ishte i hapur deri dje.
Drejtori i ri pritet të emërohet së shpejti nga kryeministri, ndërsa kontrata e tij do të jetë pesë vjeçare me mundësi vazhdimi.
Sipas konkursit, Drejtori i Përgjithshëm i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt ministrit të Punëve të Brendshme për administrimin dhe menaxhimin e Policisë së Kosovës.
Konkursi është i brendshëm pasi që kriter për këtë pozitë është grada policore kolonel, nënkolonel ose major, së paku pesë vjet.
Secili kandidat për këtë pozitë, duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë sipas ligjit të aplikueshëm. Ende nuk dihet numri i aplikacioneve të pranuara deri më tani për këtë pozitë.