Të shtëna me armë zjarri njoftohet të ketë pasur sonte në komunën e Fushë-Kosovës.
Sipas burimeve të lajmi.net në qendër të Fushë-Kosovës pati të shtëna me armë zjarri, por për fat të mirë nuk ka ndonjë person të plagosur.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se rreth orës 19:10 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Dardania” në Fushë-Kosovë.
Sipas policisë rasti ka ndodhur saktësisht në afërsi të një pompe të derivateve.
“Në vend të ngjarjes kanë dalur njësitet relevante policore, përfshirë ato të Reagimit të Shpejtë, dhe Njësia e Hetimeve. Sipas informacioneve fillestare dyshohet se në drejtim të një automjeti është shtënë me armë zjarri”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha.
Gjithashtu u theksua se një person i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
“Policia është duke kryer hetimet intensive dhe janë duke u trajtuar dëshmi në lidhje me rastin për të zbardhur rrethanat e këtij incidenti kriminal”.