Pesë miliardë euro është vlera e depozitave që kanë qytetarët e Kosovës nëpër bankat komerciale, duke arritur rekord për herë të parë që nga paslufta. Kurse, vlera totale e kredive që kanë marrë ka arritur në 4 miliardë e 164 milionë euro.
Qytetarët e Kosovës i kanë borxh bankave komerciale 4.2 miliardë euro, deri sa vlera e depozitave ka shkuar në 5 miliardë euro.
Kështu thuhet në raportin “Raporti i Informatave Mujore të Sistemit Financiar, korrik 2022“, duke shtuar se shuma më e madhe e depozitave është te ekonomitë familjare.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, prej këtyre 5 miliardëve, depozita të ekonomive familjare janë 3 miliardë e 451 milionë euro, 957 milionë euro të korporatave jo financiare dhe 260 milionë euro të korporatave tjera financiare.
Për sa i përket kredive, për muajin korrik, ekonomitë familjare kanë mbi 1.5 miliard euro detyrime, deri sa korporatat jo-financiare kanë 2.6 miliardë euro borxhe.
“Një miliard e 43 milionë e 600 mijë euro janë kredi të reja nga janari deri në korrik 2022. Nga janari deri në korrik 2021 janë dhënë mbi 973 milionë euro. Dallimi mes 2021 dhe 2022 është se këtë vit janë marrë nga kosovarët 69.9 milionë euro kredi më shumë. Totali i kredive ka shkuar në 4.2 miliardë euro”.
Ndryshimi mesatar vjetor i kredive është 18 për qind, ku për individët është 17.1 për qind, për bizneset ishte 17.9 për qind dhe 68.6 për qind për korporatat e tjera financiare.
BQK thekson se rritja e kërkesës për kredi nga bizneset është nxitur kryesisht nga nevoja për financimin e kapitalit punues dhe investimeve fikse.
“Kërkesa për kredi nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është rritur në nivel më të lartë se sa ajo nga ndërmarrjet e mëdha. Kjo rritje e kërkesës, sipas deklaratave të bankave, u nxit kryesisht nga rritja e kërkesës për financimin e inventarëve dhe kapitalit punues dhe për financimin e investimeve fikse. Pritjet për pasiguri të shtuara si pasojë e rritjes së vazhdueshme të nivelit të çmimeve në vend dhe jashtë tij i kanë ndikuar edhe pritjet e bankave të cilat deklaruan se presin rritje të ulët të kërkesës për kredi gjatë tremujorit të ardhshëm nga të dy kategoritë e ndërmarrjeve”, thotë BQK në raportin “Ankesa e Kreditimit Bankar, numër 11“.
Në rritjen e kërkesës për kredi familjare, BQK thotë se lehtësimi i kushteve për blerjen e shtëpive ka bërë të rritet volumi i lëshimit të kredive.
“Kushtet dhe rregullat për kreditë e reja për ekonomitë familjare u lehtësuan deri në një masë. Lehtësimi i kushteve dhe rregullave ishte më i lartë për kreditë për blerjen e shtëpive se sa për kreditë konsumuese, bazuar në nivelin e indeksit të gjeneruar. Faktorët kyç që ndikuan në lehtësimin e kushteve dhe rregullave të kreditimit për ekonomitë familjare gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 ishin presioni i rritur i konkurrencës, perspektiva e mirë e tregut bankar në vend, si dhe qasja e favorshme në financim e sektorit”, thekson banka, shkruan Demokracia.com
Norma efektive e interesit për depozita në këtë muaj ishte 1.8 për qind, që krahasuar me normën efektive të interesit në kredi paraqet dallim me 4.3 pikë përqindjeje.
Kreditë e këqija sipas raportit të BQK-së aktualisht janë 2.1 për qind.
Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 11 banka komerciale, prej të cilave 9 janë me kapital të huaj. Numri i degëve të tyre 211, kurse këto banka kanë të punësuar 3,636 punëtorë.