Deputeti i Guxo, pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Avdyli ka thënë se në parti prisnin që deputetja Doarsa Kica-Xhelili të aderojë në PDK.
Në “Dpt te Fidani”, Avdyli ka thënë se kishin dëgjuar që Kica-Xhelili po takohej më shumë me eksponentë të PDK-së se sa të LDK-së. Sipas tij, ajo mund të aderojë në PDK.
“Kemi dëgju që është taku me ekspontentë të PDK-së e të LDK-së, e me opinionistë. Nuk e di a ka me shku në LDK a në PDK, se më shumë është folur se do të shkojë në PDK. Duhet të presim dhe ta shohim ku do të shkojë”, ka thënë Avdyli.
Avdyli ka deklaruar se Kica-Xhelili e kishte shuar aktivitetin e saj në Guxo që nga muaji qershor i këtij viti. Sipas tij, brenda partisë, ajo ka gjetur mirëkuptim.
“Ajo nga muaji qershor e ka shuar aktivitetin, nuk ka shkruar e as nuk ka ardhur fare. E kemi mirëkuptu, kemi thënë është nënë e s’po mundet të vijë”, ka thënë tutje ai.
Avdyli ka thënë se Kica-Xhelili kishte thënë se “është ftohur pak me partinë”, por nuk të largohej.
“Ajo thoshte se nuk do të largohet nga partia, porse nuk do të jetë aktive shumë. Kështu pati thënë në grupin e partisë herën e fundit që ka folur”, ka thënë ai.