Sindikatat, mësimdhënësit dhe diaspora, u sulmuan ashpër nga kryeministri Albin Kurti, në konferencën e 3 shtatorit, të cilën e thirri për të prezantuar pakon e re ekonomike. Ndonëse u pyet nga gazetarët për vizitën e së hënës në Kosovë të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, Kurti nuk e tha asnjë fjalë të keqe. Ai foli për vizitën e saj si të ishte një vizitë e zakonshme dhe krejtësisht normale, shkruan Demokracia.com.
Në konferencën e së shtunës, kryeministri Albin Kurti nuk foli asnjë fjalë keq vetëm me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila do ta vizitojë Kosovën më 5 shtator. Për këtë vizitë, Bërnabiq ka marrë lejen e Qeverisë Kurti dhe ajo do ta vizitojë Kosovën pa asnjë pengesë.
“Së pari, jemi pas 1 shtatorit dhe është parë se gjithçka po shkon siç kemi thënë ne më herët. Ose do të ketë dokumente hyrëse dalëse edhe në Kosovë, edhe në Serbi, ose në asnjërën prej tyre. Doli se në asnjërën prej tyre. Edhe Bërnabiq le të hyjë në Kosovë, me letërnjoftimin e autoriteteve të lëshuara në Beograd dhe le ta shohin se çdo gjë po funksionon në një shtet demokratik, që është më demokratik se Serbia”, tha kryeministri Kurti të shtunën më 3 shtator 2022.
Vizitat e zyrtarëve serbë nuk janë mirëpritur asnjëherë nga Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, në kohën sa ishin në opozitë, shkruan Demokracia.com. Por, që nga ardhja në pushtet, kjo më nuk përbënë kurrfarë problemi, edhe pse bëhet fjalë për të njëjtët zyrtarë.
Kundërshtimi i vizitave të zyrtarëve serbë vetëm në Kosovë nuk ishte i mjaftueshëm për partinë e Albin Kurtit. Në dhjetorin e vitit 2019, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë e kishin pritur me protesta shkuarjen në Shqipëri të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Këtu një kriminel lufte, po vjen të pozojë si bamirës”, ishte shkruar në pankartën e madhe që ishte vendosur në hyrje të Hotel Rogner, aty ku do të flinte Vuçiq, derisa e kishin akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se po i shërben pastrimit të figurës së Vuçiqit përballë ndërkombëtarëve.
Një vit më herët, në 2018, Vuçiq kishte ardhur për vizitë edhe në Kosovë dhe dhënia e lejes ishte kundërshtuar ashpër nga Kurti dhe partia e tij, shkruan Demokracia.com. Sipas VV-së, dhënia e lejes për Vuçiqin ia rrit Serbisë pretendimet. Madje, sipas VV-së, dhënia e lejes për presidentin e Serbisë ishte një tregues i qartë se “pushteti në Kosovë është i gatshëm të lëshojë pe dhe të bëjë kompromise me Serbinë që i paguan shteti e populli ynë”.
Pavarësisht këtyre kundërshtimeve të ashpra në të kaluarën të vizitave të zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, të shtunën, kryeministri Kurti nuk e tha asnjë fjalë të keqe më për vizitën e kryeministres së Serbisë. Ai foli për vizitën e saj si të ishte një vizitë e zakonshme dhe krejtësisht normale, por ishte shumë i ashpër me zhvillimet brenda vendit.
Gjatë prezantimit të pakos ekonomike, e cila u vlerësua më shumë si një pako për të blerë paqen sociale në kohën kur grevat janë shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës, Kurti u tregua i ashpër dhe arrogant për të disatën herë me sindikatat që kanë organizuar grevën. Por, pjesë e deklaratës së tij u bënë edhe mësimdhënësit dhe diaspora. Këta të fundit i ofendoi rëndë, edhe pse rreth 80% e tyre e votuan Vetëvendosjen në zgjedhjet e vitit 14 shkurtit 2021.
“Të krijosh ditë pa mësim për fëmijët është papërgjegjësi. Duke nxjerrë analfabetë e duke menduar veç për paga po na shtohen listat sociale. Ose asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani”, kështu i ka krahasuar Kurti njerëzit që shkojnë për punë në Gjermani, me nxënësit analfabetë që, sipas tij, po dalin nga sistemi i dobët arsimor.