Gjatë ditës së djeshme në media u raportua se Qeveria e Kosovës nuk i ka ekzekutuar pagat për shërbyesit civil në shumicën e Komunave të Kosovës. Megjithatë, burime të Gazeta Metro kanë bërë të ditur që pagat në Komunën e Prishtinës nuk i kanë dalë as punëtorëve shëndetësor.
Ditë më parë filloi greva e mësimdhënësve dhe shërbyesve civil për shkak se po kërkojnë miratimin e projektligjit për paga. Por, Qeveria e Kosovës ‘kërcënoi’ të gjithë grevistët duke thënë që do t’u ndalen pagesat për personat që janë në grevë.
Ndërsa, dje Gazeta Blic kishte raportuar se pagat nuk i janë ekzekutuar as zyrtarëve që punojnë në Komunën e Prishtinës.
”Sot, nuk është ekzektuar paga zyrtarëve që punojnë në Komunën e Prishtinës. Kjo për faktin se komuna nuk ua dha Qeverisë listën e kërkuar të atyre që janë në grevē”, ka thënë burimi i tyre brenda Komunës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama mbrëmë me anë të një postimi në Facebook reagoi lidhur me zhvillimet e fundit.
Sipas tij, kërkesa e Qeverisë drejtuar Drejtorive Komunale të Arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, është e kundërligjshme.
Ai ka kërkuar nga sindikatat dhe ekzekutivi të gjejnë një kompromis sa më parë.
”Është e drejtë e institucioneve arsimore dhe të administratës që të vihen në grevë. Pandemia dhe, pas saj, lufta në Ukrainë, bënë që të rriten të gjitha çmimet. Vetëm pagat mbetën të njëjtat.
Kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar Drejtorive Komunale të Arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme. Por është e drejtë legjitime e Qeverisë që të kërkojë që mësimdhënësit t’i nënshtrohen testit të rivlerësimit, proces ky që duhet të ishte ndërmarrë që moti.
Ndërkohë, shtatori veçse erdhi, e nxënësit duhet patjetër t’u kthehen bankave shkollore, kurse punonjësit administratës. Është prandaj imperative që bashkimi i sindikatave dhe Qeveria të mos e ndërpresin dialogun dhe të gjejnë një kompromis sa më parë,” shkroi ai.
Kujtojmë se dje ishte raportuar që në Komunat e Shtimes, Skenderajt dhe Drenasit pagat shërbyesve civil nuk u janë ekzekutuar ende.