Një 39-vjeçar nga Fushë Kosova ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ka raportuar se dikush është kyçur në llogarinë e tij ku posedon kriptovaluta dhe ka kryer transaksione, duke i marrë atij mijëra dollarë amerikanë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se vlera e mjeteve që kanë kaluar në disa kuleta dixhitale është 4 mijë dollarë.
Viktima ka deklaruar se paratë janë marrë nga ‘JAXX Liberty’, me ç’rast dyshohet se kundërligjshëm i janë vjedhur paratë dixhitale. Sipas tij, ato fillimisht janë transferuar në një llogari e më pas janë shpërndarë në disa të tjera.
Ai ka deklaruar para hetuesve policorë së nuk ka dyshime te ndonjë person i caktuar që mund t’i ketë kryer këto transaksione.
Si rezultat i denoncimit, Krimet Kibernetike kanë nisur hetimet dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “hyrje në sistemet kompjuterike”.