Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Mitrovicë, ku tre persona kanë rrëmbyer një vajzë 18-vjeçare. Vajza e re u keqtrajtua për disa orë gjatë kohës që u mbajt e mbyllur në një lokacion të panjohur. E pas një pune hetimore të Policisë është arritur që të dyshuarit të arrestohen.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta se tre personat që ranë në pranga pasi dyshohet se torturuan për orë të tëra vajzën e re janë, Berat Musliu 34-vjeçar, Hajdin Musliu 20-vjeçar dhe Gentian Balaj 20-vjeçar
Që të tre dyshohet se me forcë kanë futur brenda veturës së tyre 18-vjeçaren, të cilën më pas e dërguan në një lokacion të panjohur ku kanë ushtruar dhunë ndaj saj.
Për shkak të lëndimeve të rënda, viktima është transportuar në Qendrën Klinike Universitare , ndërsa motivi i rrëmbimit akoma nuk dihet, por detajet që u kuptuan janë tronditëse.
Ajo çfarë e bën edhe më shokuese të gjithë ngjarjen është se Berat Musliu dyshohet se muaj më parë e kishte dhunuar 18-vjeçaren
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se 34-vjeçari po hetohet edhe për veprën penale ‘Dhunim’.
Me urdhër të prokurorit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.