Operacioni i policisë i koduar “Unaza e Çeliktë” ka vënë në pranga pesë persona, tre për grabitje e dy të tjerë për shitje të armëve në mënyrë ilegale.
Të gjitha këto ndalime të personave të dyshuar janë bërë mbrëmjen e kaluar.
“Unaza e Çeliktë” ka për qëllim shkatërrimin e grupeve kriminale të cilët merren me veprat penale të grabitjeve, këto të fundit të shumta në muajin e fundit.
Vetëm mbrëmjen e kaluar, një grabitje e armatosur ka ndodhur në Lagjen Dardania më saktësisht në një filiale të marketit “Meridian”, ndërsa sipas policisë një tjetër grabitje i ka ndodhur një personit.
Shumë lokacione janë kontrolluar mbrëmjen e kaluar nga policia të cilët po marrin pjesë në aksionin e koduar si “Unaza e Çeliktë”.
20 vjeçari, Agron Braha është arrestuar mbrëmë pas grabitjes në marketin “Meridian” ndërsa tre të tjerë janë në kërkim të policisë.
Sipas policisë, një lokacion është kontrolluar në Fushë Kosovë në banesën ku ka qenë me qira Agron Braha. Në lokacionet e bastisura janë konfiskuar: Dy jakne, dy duksa, dy kapela, një pale doreza, një komplet trenerka ngjyrë ushtarake, një shalle, një palë puma , dy telefona celular, dhe një fatrolle e pistoletës të cilat shërbejnë si dëshmi në raste.
Të dyshuarit e tjerë sipas policisë janë identifikuar.
Katër të dyshuarit, përfshirë edhe Agron Brahën i cili është nga Durrësi por jeton në Fushë Kosovë, sipas policisë dyshohen se janë pjesë e 16 grabitjeve në markete si “Maxi”, “Meridian”, “Albi Market”, një barnatore dhe një agjenci financiare.
Po ashtu mbrëmjen e kaluar rreth orës 19:40 në Prishtinë në rrugën ”Mujë Krasniqi” Policia ka njoftuar se nga ankuesi R. Rexhepi është raportuar për një rast vjedhje grabitqare, ku sipas tij katër persona të dyshuar me forcë ia kishin marr 90 € para të gatshme dhe të njëjtin e kishin sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore.