Zyrtarisht është në kërkim nga shteti i Kosovës. Megjithatë, Milan Radojçiq po qëndron në Kosovë. Dhe pa asnjë frikë për kapjen nga Policia, ai ka postuar një video në të cilën tregon se rikthyer në atë që ai e quan “Kosovë e Metohi”. Pra, shteti i Kosovës për të tretën herë bjen nga provimi për të kapur Radojçiqin.
Në video mesazhin 32 sekondësh, nënkryetari i Listës Serbe ka theksuar se terrori kundër popullit serb po fillon.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq nga Leposaviqi.
Nënkryetari i Listës Serbe është njëri i “fortë” i krimit. Për këtë, ai është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për më shumë, Radojçiq, është edhe në kërkim për rastin e Brezovicës, ky dyshohet nga Prokuroria e Ferizajt për krim frikësim të dëshmitarëve.