Një përplasje virtuale ka ndodhur mes ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe deputetit të Listës Guxo, Haxhi Avdyli.
Gjatë ditës së sotme, Mustafa, ka kritikuar presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë të fundit si njërën nga bllokuesit e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ndërsa, ndaj Mustafës, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, i cili e ka cilësuar Mustafën si shkatërrues të LDK-së dhe fajtor se pse Kosova renditet si njëra nga vendet më të korruptuara.
Karshi këtij reagimi të Avdylit, Mustafa pati një përgjigje të shkurtër duke thënë se ‘“Me u marrë me Haxhi Avdylin është si me u marrë me jashtëqitjet”, deklaroi ai për lajmi.net
Ndërsa, tani përmes një shkrimi në Facebook, Avdyli tha se shpreh keqardhje për fjalorin e tij, duke thënë se ndjehet mirë që qytetari e ka përjashtuar atë nga skena politike.
“Isa më paska quajtur jashtëqitje. Unë debatin politik e mospajtimet do i mbaj në nivelin e debatit politik e asnjeherë s’do lëshohem në fyerje të ulëta personale. Vetëm shprehi keqardhje për fjalorin e tij.
Poashtu ndjehem mirë që këtë lloj politikani me këso mendësie tashmë qytetari e ka përjashtuar nga skena politike dhe ka dërguar në harresë historike”, shkroi Avdyli.