Këtë deklarim, Agani e ka dhënë në seancën e së enjtes, në rastin e njohur si “Stenta 1”, ku bashkë me ish-Sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabanin po akuzohen se kishin lidhur marrëveshje me spitale private për ofrimin e shërbimeve që nuk ofroheshin në spitale publike pa procedurë tenderuese dhe në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit.
Sipas Aganit, qëllimi i marrëveshjeve të Ministrisë së Shëndetësisë me spitalet private ka qenë që të rritet shkalla e përgjegjësisë të këtyre institucioneve ndaj kësaj ministrie dhe njëkohësisht të rritet besueshmëria për sektorin privat të shëndetësisë te qytetarët e vendit në mënyrë që ata të mos shpenzojnë paratë e tyre jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit me spitale private, Agani tha se provat e paraqitura materiale dëshmojnë qartë se synim ka qenë rregullimi i marrëdhënieve ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe sektorit privat në të gjitha profilet specialistike që në atë kohë ishin në dispozicion dhe për aq sa i kujtohej ai tha se kanë qenë 12 marrëveshje të tilla me 12 institucione private.
“Prej fillimit e kom pas të qartë dhe kjo më është vërtetuar edhe nga zyra ligjore e ministrisë se këto marrëveshje të bashkëpunimit në asnjë mënyrë nuk kanë qenë kontrata publike, dhe nuk janë nënshkruar nga Ligji i Prokurimit Publik”, tha Agani.
Tutje, Agani ka sqaruar se furnizimi i Ministrive Shëndetësore në vend me barna dhe materiale shpenzuese është detyrë e departamenteve të veçanta të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe drejtorive shëndetësore në komuna.
Ai tha se si ministër i shëndetësisë në asnjë moment nuk kishte ndërhyrë në procedurat e planifikimit dhe prokurimit të këtij materiali sepse kjo do të paraqiste shkelje ligjore.
“Por kam qenë shumë i vëmendshëm që ti përcjelli reagimin e qytetarëve dhe opinionit publik dhe në veçanti raportet e inspektoratit shëndetësor dhe farmaceutik lidhur me këtë çështje. Se sa kam qenë i përkushtuar për zhvillimin e shërbimeve publike të kardiologjisë invazive dhe kardiokirurgjisë flet fakti se gjatë mandatit tim për herë të parë në historinë e shëndetësisë kosovare u hap klinika e kardiokirurgjisë që edhe sot funksionin me sukses dhe u siguruan mjete të rëndësishme financiare për kompletimin e njësisë së kardiokirurgjisë invazive në vlerë mbi 6 milion euro që u përdorën nga ministrat në mandatet pas meje”, tha Agani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se në asnjë raport të auditimit të jashtëm te zyrës kombëtare nuk i është tërhequr vërejtja se bordi ekzekutiv po bënë shkelje ligjore me rastin e vlerësimit te përqindjes së kompensimit, 70 ose 100%, dhe se për herë të parë lidhur me këtë çështje ai tha se kishte dëgjuar nga prokurori Besim Kelmendi kur për herë të parë e kishte marrë në pyetje.
Tutje, ai tha se detyrën e ministrit të shëndetësisë e kishte marrë në shkurt të vitit 2011 dhe e kishte dorëzuar në dhjetor të vitit 2014.
Agani ka thënë se prej shkurtit 2011 deri në dhjetor 2014 sa kishte mbajtur pozitën e ministrit objektiv kishte rindërtimin e sistemit shëndetësor si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
“Në vitin 2010 një vit para se të marrë detyrën sipas Bankës Botërore, qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar 70 milionë euro jashtë vendit për shërbime shëndetësore. Të gjitha përpjekjet e mia kanë shkuar në atë drejtim që më zhvillimin e sektorit publik dhe privat të shëndetësisë në vend të ngrisim cilësinë e shërbimeve shëndetësore të qytetarëve të vendit dhe t’ia ofrojmë atë në kohën e duhur me çmim sa më të volitshëm”, tha Agani.
Ai tha se për katër vite kishte realizuar reformën më gjithëpërfshirëse legjislative reformuese që kishte gjetur mbështetjen e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe se Ligji për Shëndetësi dhe Ligji për Sigurime Shëndetësore që u miratua për herë të parë në Kosovë pas luftës janë edhe sot në fuqi.
“Njëkohësisht kam qenë ministri i parë që e ka hap Klinikën e Kardiokirurgjisë dhe Institutin Onkologjik në QKUK. Gjatë kësaj pune me përpikërinë më të madhe, kam respektuar legjislacionin në fuqi”, shtoi ai.
Paraprakisht, në këtë seancë ka vazhduar dëgjimi i ekspertit financiar Emin Blakaj, i cili në seancën e kaluar kishte kërkuar kohë që të kërkojë qasje në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), lidhur me pretendimet e avokatit Skender Musa dhe të akuzuarit Gani Shabani.
Lidhur me këtë, Blakaj në shqyrtimin e sotëm gjyqësor deklaroi se i ka përfunduar të gjitha sqarimet e nevojshme në lidhje me kërkesat e mbrojtjes duke ia dorëzuar të njëjtat në formë të shkruar gjykatës dhe palëve.
Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Gani Shabani, avokati Skender Musa, ka kërkuar sqarime nga eksperti Blakaj se për çfarë arsye e kishte vendosur në tabelë pacientin Q.A, pavarësisht provës se ky pacient kishte qenë rast social dhe për të ishte realizuar pagesa në vlerë prej 4000 euro dhe se për këtë ekziston dokumenti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale i 1 nëntorit 2013 me validitet deri më 1 shkurt 2014, deri sa intervenimi ishte kryer më 26 nëntor 2013.
Lidhur me këtë, Blakaj tha se për këtë pacient pas kërkesës në Ministrinë e Shëndetësisë nuk është siguruar dokumentacioni se ka qenë rast social dhe sipas tij sqarimi i tyre ka qenë se vendimi është marrë më 25 shkurt dhe në dosjen e tij nuk figuron se është me asistencë sociale.
Ndërsa, me lejen e trupit gjykues pas dhënies në shikim të dokumentacionit nga avokati Musa, eksperti Blakaj deklaroi se bazuar në librezën sociale Q.A është përfitues i skemës sociale në cilësi të anëtarit të familjes ashtu që ky person duhet të hiqet nga tabela.
Tutje, avokati Musa kërkoi sqarim edhe lidhur me pacientin B.Sh për të cilin pagesa e realizuar është 6000 euro dhe se në kohën e intervenimit i njëjti ka qenë i burgosur andaj në bazë të Ligjit për Shëndetësi, në kategorinë e qytetarëve dhe banorëve të liruar nga bashkë pagesa janë edhe të burgosurit që janë në mbajtje të dënimit.
Blakaj, lidhur me këtë tha se B.Sh figuron në tabelë për shkak se në vendimin e bordit ekzekutiv konstatohet se për këtë pacient trajtimi nuk guxon të kalojë shumën prej 50 deri në 70% të caktuar nga bordi ekzekutiv për trajtim jashtë institucionit publik dhe në bazë të dokumenteve në shkresat e lëndës është konstatuar se është kaluar shuma mirëpo meqenëse në bazë të ligjit të burgosurit janë të liruar nga bashkë pagesa, ai tha edhe ky pacient duhet të largohet nga lista.
Ndërsa, lidhur me pacientët A.R, H.S dhe E.M, Blakaj tha se në këto 3 dosje, për këta persona një dokument është i nënshkruar “për” por nuk dihet kush, ndërsa tha se në dy dokumente tjera nuk ka “për” dhe është vetëm nënshkrimi.
Sipas tij, për pacientin E.M tha se pagesa është bërë në kuadër të vendimit të bordit për të cilin shuma ka qenë në bazë të faturës 7000 euro, pagesa është bërë 7000 euro dhe i njëjti tha se është subvencionuar 100 % në bazë të vendimit.
Duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Musa, se a kishte pasur tejkalim të shumave të mjeteve financiare nga ato që janë përcaktuar nga vendimet e bordit ekzekutiv të Ministrisë së Shëndetësisë për pacientet e subvencionuar për vitet nga 2012 deri në 2015 dhe a kishte pasur ndërhyrje të sekretarit në lartësi apo zvogëlim, Blakaj tha se shumat që janë të paraqitura në tabelë janë të aprovuar nga bordi dhe të njëjtat janë realizuar sipas vendimit të bordit, dhe sipas tij këto janë si të gjetura që nuk janë plotësuar kushtet sipas udhëzimit administrativ sepse në bazë të faturave ai tha ato janë subvencionuar 100%.
I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi se meqenëse u deklarua për dy persona që duhet të largohen nga kjo tabelë, sa është shuma që është tejkaluar, Blakaj lidhur me këtë tha se tejkalimi ka qenë 14 mijë e 430 euro ndërsa tani është 11 mijë e 430 euro.
Ndryshe, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar më 17 dhe 24 qershor 2022, me kërkesë të prokurores speciale Florije Shamolli, e cila tha se i duhet kohë për parashtrimin e pyetjeve për të akuzuarit.
Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.
Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.
Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.
Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.
Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.
Sipas aktakuzës e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.
Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.
Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.
Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.
Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.
Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.
Ndryshe, kur janë bërë afër pesë vite që nga ngritja e aktakuzës në këtë rast, epilogu gjyqësor i kësaj aktakuze nuk duket as afër.
Derisa rasti “Stenta 1”, kishte marr njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.
Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet. Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuza.