bBashkimi Europian kërkon nga Bullgaria që të zhbllokojë procesin e integrimit brenda qershorit. Ishte kjo porosia e qartë e Komisionerit për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, gjatë vizitës në Sofje.
Ai u takua me kryeministrin bullgar, Kiril Petkov, të cilit i tha se për BE-në është shumë frustrues fakti se nuk është gjetur ende një zgjidhje për mosmarrëveshjet me Maqedoninë e Veriut.
“Unë jam ende në pritje të mbështetjes nga Bullgaria dhe po punojmë për këtë përmes të gjitha këtyre bisedimeve që kam pasur këtu në Sofje, dhe rregullisht në Shkup, që përfundimisht të qartësohet dhe forcohet perspektiva europiane për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne dëshirojmë që në qershor të arrihet një marrëveshje”, tha komisioneri.
Heqja e vetos bullgare ndaj Shkupit do të mundësonte që Brukseli të caktojë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare edhe me Shqipërinë. Për ta bërë këtë, kryeministri Petkov bëri të qarta kushtet e tij.
“Dua të sqaroj se Bullgaria ka tre kërkesa të qarta për çështjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Respektimi i qëndrimit kornizë të miratuar nga Parlamenti bullgar, përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe së treti zbatimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë”, tha Petkov.
Ndërkohë, e gjithë kjo vjen në një kohë paqëndrueshmërie politike për Bullgarinë. Koalicioni i Petkov ka humbur një prej katër partive përbërëse, duke bërë që vendin ta drejtojë një qeveri e pakicës. Kjo ndërlikon dhe më tej tentativat e Shkupit për të zhbllokuar procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.