Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” që u mbajt më 7 dhe 8 qershor në Ohër, nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume.
Kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, si dhe presidenti, Aleksandar Vuçiq, do të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin në sferën ekonomike, atë të arsimit, kulturës dhe turizmit.
Marrëveshjet, sipas tyre, do ta forcojnë edhe paqen dhe stabilitetin në rajon, pas agresionit rus në Ukrainë, për shkak të frikës nga ndikimi i ndonjë shteti tjetër, duke aluduar në Rusinë.
Marrëveshja e parë ka të bëjë me luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht, shmangies së pagesës së tatimit. Marrëveshja thekson nevojën për punë të përbashkët për të inkurajuar përmbushjen e detyrimeve tatimore në të tria vendet.
Në tekstin e marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Memorandumi për bashkëpunim kulturor promovon shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.
Sipas memorandumit, shtetet angazhohen për të inkurajuar lëvizshmërinë e punonjësve të kulturës, financimin e projekteve kulturore dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.
Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, shtetet parashikojnë formimin e një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”./rel