Deputetja e Listës Guxo, Doarsa Kica-Xhelili, ka hedhur poshtë dyshimet se ka përçarje brenda koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo ka thënë se që nga fillimi i mandatit është folur për përçarje, e cila sipas saj, nuk ekziston.
“Realisht për çarje flitet që nga themelimi i këtij mandati dhe këtij parlamenti që është mbi një vit, do të thotë që nga komplet fillimi i grupit tonë parlamentar që ishte në bashkëpunim, asokohe lista Vjosa, iniciativa e presidentes dhe lëvizjes Vetëvendosje. Ne gjithmonë kemi dëgjuar që kemi çarje dhe jemi munduar të identifikojmë atë çarje brenda nesh sepse askush nuk e dinte prej nga po vjen, kështu që deri më tani asgjë nuk ka konkrete”.
“Ne megjithatë e kemi lirinë përbrenda grupit parlamentar ta themi mendimin tonë, nuk është se nuk ka ndodhur që deputetët nga radhët e listës Guxo, në fakt edhe nga lëvizja Vetëvendosje të shprehin mendime ndryshe ndaj shumicës parlamentare, kështu që nuk është e vërtetë që ka çarje”, ka deklaruar Kica-Xhelili, e cila është edhe kryetare e komisionit parlamentar për administratë pubike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal.
Ajo tutje ka folur edhe për procesin e vettingut, për të cilin ka thënë se Qeveria tashmë ka një koncept-dokument, i cili bashkë me draft-ligjin për vetingun janë duke u shqyrtuar nga Komisioni i Venecias.
“Ministria e Drejtësisë e ka krijuar një praktikë që fillimisht këto ligje t’i adresojë te Komisioni i Venecias dhe më pas varësisht nga shqetësimet eventuale që ato mund t’i kenë, të reflektojnë të njëjtat në draftin ekzistues dhe më pas ai të përcillet në parlament. Pra, tashmë jemi në fazën ku po trajtohet nga Komisioni i Venecias dhe unë mund të them që jam ndër personat që më shumti vlerësoj që ka nevojë patjetër të mbështetet kjo nismë e Ministrisë së Drejtësisë”.
“Vetë jam me prapavijë të avokates, vetë kam punuar në sistem të drejtësisë dhe mendoj që indikatorët janë të pamohueshëm. Unë e kuptoj që ka skepticizëm dhe ka hezitime, mendoj që çdo reformë e thellë në drejtësi do të duhej të pritej me skepticizëm dhe hezitime sepse çdo format tjetër do të ishte plotësisht i pakuptimtë. Frikërat janë gjithmonë të mira në raste të tilla sepse shërbejnë që ekzekutivi të reflektojë mbi to dhe të vijë me projektligje akoma më të mira”.
“Mendoj që koncept-dokumenti ka ofruar shumë alternativa të vetingut, kemi mësuar nga praktika në Shqipëri dhe problemet që kanë ndodhur me procesin e vetingut atje, jemi plotësisht të vetëdijshëm ndaj rreziqeve eventuale që mund të vijnë me procesin e vetingut dhe mendoj se këto tashmë janë adresuar mjaft mirë nga qeveria”, ka pohuar ajo.
Ndryshe, këto ditë në Shtetet e Bashkuara janë ftuar një sërë politikanësh nga vende të ndryshme të botës në kuadër të një programi disa javor për shkëmbim përvojash dhe praktikash për zhvillimin e demokracisë. Programi këtë vit është përqendruar te vënia në jetë e angazhimeve të marra në takimin e nivelit të lartë për demokracinë mbajtur vitin e kaluar, me nismën e presidentit Joe Biden. Një nga pjesëmarrëset është edhe Doarsa Kica-Xhelili.