Kombëtarja e Shqipërisë është rikthyer sot në atdhe, pas ndeshjes së luajtur dje në udhëtim te Islanda.
“Kuqezinjtë” kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve, atë ndaj Izraelit që do të zhvillohet më 10 qershor në “Air Albania Stadium”, shkruan Gazeta Express.
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se sot është mbajtur një seancë e lehtë stërvitore. Lajmi i mirë është se sulmuesi, Armando Broja, ishte pjesë e kësaj seance stërvitore pasi që ai mungoi në ndeshjen me Islandën.
FSHF bëri të ditur se stafi teknik do të vëzhgojë në vazhdimësi gjendjen e Brojës me shpresën që ai të jetë i gatshëm për ndeshjen me Izraelin.
Lajmi tjetër i mirë është se sot ka stërvitur edhe sulmuesi Myrto Uzuni, i cili gjithashtu mungoi në ndeshjen e parë zyrtare për shkak të lëndimit. Ai ka stërvitur në mënyrë individuale.
FSHF njoftoi se stafi mjekësor është duke monitoruar në vazhdimësi rikuperimin e lojtarit dhe shpresohet që ai mund të rikuperohet në kohë për ndeshjen e dytë të qershorit.
Shqetësime ka pasur mesfushori Odise Roshi i cili po kalon një gjendje gripale dhe nuk është stërvitur.
Kombëtarja shqiptare do të vijojë nesër me përgatitjet po në Durrës, ndërkohë që të enjten do të zhvillohet edhe stërvitja zyrtare para ndeshjes me Izraelin, e dyta në Ligën e Kombeve për Shqipërinë