Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në serinë e diskutimeve që u organizua në “Universitetin Cambridge” në Britaninë e Madhe.
Ai ka thënë se ka ende njerëz që nuk e kuptojnë “ndryshimin tektonik” që ka ndodhur gjatë vitit të kaluar në dialogun Kosovë-Serbi
“Kritikat vijnë pasi që nuk e kuptojnë se vitin e kaluar ka ndodhur një lëvizje tektonike e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Që nga viti 2011, Kosova ka qenë në një dialog ku ka dhënë shumë, e Serbia ka shtyrë njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Tash nuk është kjo, pra është një kalim nga koha në hapësirë. Marrëveshja tash do të ketë shumë pika, por pika kryesore do të jetë njohja e ndërsjellë. Serbia nuk na njeh neve aktualisht, por as ne nuk mund ta njohim Serbinë që nuk na njeh.
Marrëveshja me Serbinë do të vijë në fund, por në qendër të kësaj marrëveshje do të jetë njohja e ndërsjellë, e cila nuk do të jetë në fund të marrëveshjes por në qendër të saj. Pra ky është një ndryshim tektonik që ata që e kritikojnë, nuk e kuptojnë këtë ndryshim”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjerash, Kurti ka folur edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku ka thënë se shpreson në mbështetjen e shteteve që përkrahin Kosovën.
Sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Kurti ka thënë se nuk do të ishte realiste që të pritet anëtarësimi në BE pa marrë njohjet nga shtetet të cilat ende nuk njohin Pavarësinë e Kosovës.