Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, i cili doli kundër qëndrimit të partisë në pushtet që deshi ta miratonte projektligjin për pagën minimale pa i futur në të veteranët e UÇK-së, tha se nuk do të ishte kundërproduktiv një debat ndërpartiak për këtë çështje.
Humolli në një lidhje direkte me telefon në Frontal të T7 tha se nuk është pjesë e LVV-së dhe se vota e tij ka qenë “që të reflektojë Lëvizja Vetëvendosje”. Ai tha se beson se “shumica e deputetëve të Vetëvendosjes janë me qëndrimin tim”.
Unë e kam pak më të lehtë sepse unë në kuadër të listës së Vetëvendosjes jam i pavarur. Nuk jam anëtar edhe e kam më lehtë me e shprehë mendimin tim”, tha Humolli.
Ai propozoi dialog ndërpartiak për pagesën e veteranëve.
“Shumë lehtë po diskutohet me Serbinë e me faktorët ndërkombëtarë, kurse mes vete e kanë njëfarë trimnie të përçudt”, tha Humolli.
Ai tha se pagesa prej 170 eurosh “është ofenduese për veteranët e luftës”.
“Është e pamundshme që një veteran me 170 euro të jetojnë në kushte normale”, tha Humolli.
Sipas deputetit, kostoja që pagesa për veteranët të barazohet me pagën minimale “nuk mundet me qenë 30 milionë euro diferencë”.
Mënyra e propozimit të projektligjit për pagën minimale, Humolli tha se është “ofenduese” dhe “dashakeqe”.