Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është deklaruar për herë të parë pas raportimeve për dhuratën e shtrenjtë, orën e markës ‘Rolex’, të cilën ia dhuroi kryeministri i Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al-Thani.
Sveçla i ka thënë Gazetës Express se orën në vlerë 20 mijë dollarë e ka marrë si dhuratë personale, por që ka vendosur ta lë në MPB si pronë të shtetit. Ai e ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti për këtë vendim, ndërsa orën tha se e ka deklaruar vetë në Doganë, dhe se e ka njoftuar Agjencinë Kundër Korrupsionit.
“Po, është e vërtetë se gjatë vizitës sime në Katar, në kuadër të Panairit Milpol, kam pranuar një dhuratë nga Kryeministri i Katarit, një orë dore e markës Rolex, të cilën edhe pse është dhuratë personale kam vendosur që të mos e mbajë personalisht, por të njëjtën ta deklaroj dhe të mbetet si pronë për MPB-në, si shenjë miqësie mes dy vendeve tona. Në të njejtë kohë, e kam njoftuar edhe eprorin tim, kryeministrin Kurti, gjithmonë bazuar në rregullativën ligjore”, thuhet në përgjigjen e ministrit.
“Kjo dhuratë është deklaruar nga unë ne Doganë me të arritur në aeroportin e Prishtinës. Pas verifikimeve disaditore të procedurave nga ana e Doganës, ora i është dorëzuar MPB-së. Në të njejtën kohë, edhe Agjensioni Kundër Korrupcionit është njoftuar, konform legjislacionit në fuqi”, deklaron Sveçla.
Në njoftimin që ministri i Punëve të Brendshme ia ka dërguar kryeministrit, fillimisht theksohet vlera e orës.
“I nderuari Kryeministër, Z. Albin Kurti, Me këtë shkresë dëshiroj të ju njoftoj se, gjatë vizitës sime në Katar, në kuadër të Panairit Milipol, pas takimit me Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Brendshme të Katarit Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani janë shkëmbyer dhuratat protokollare. Dhurata e dorëzuar nga Kryeministri i Katarit, përmes zyrtarit ndërlidhës së tyre, u dhurua pas takimit dhe e mbyllur. Me të parë që dhurata është një orë dore e markës Rolex, kam hulumtuar dhe sipas informacioneve në internet, ky model del të jetë me vlerë rreth 20.000 dollarë”, shkruan ministri në njoftimin dërguar shefit të Qeverisë.
Sveçla e njofton Kurtin se ka vendosur që ta deklarojë këtë orë si pronë të ministrisë, “si shenjë miqësie mes dy vendeve tona”.
“Edhe pse është dhuratë e karakterit personal, për shkak të vlerës së madhe që ka, ju njoftoj se unë kam vendosur që të mos e mbajë personalisht, por të njëjtën ta deklaroj dhe të mbetet si pronë për MPB-në, si shenjë miqësie mes dy vendeve tona. Ju njoftoj se me të arritur në Kosovë, dhuratën e pranuar e kam paraqitur dhe dorëzuar tek Dogana e Kosovës, më 28 maj 2022. Gjithashtu, konform legjislacionit në fuqi lidhur me dhuratat, përcaktimet dhe kufizimet, dhurata do të regjistrohet në regjistrin e dhuratave dhe do të njoftohet Agjencia Kundër-Korrupsionit”, thuhet në njoftim.