Ditët më të rënda të luftës i kaloi bashkë me të.
Në 24 vjetorin e rënies së Naser Krasniqit – Lekës, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi bëri homazhe në lapidarin e tij në Ratkoc të Rahovecit.
Latifi rrëfen për Tëvë 1 se si ra dëshmori në altarin e lirisë, pas luftimeve intensive ndaj forcave serbe.
“Me rastin e granatimeve të artilerisë armike që granatonin fshatin tonë dhe që kishin cak shtabin e UÇK-së këtu në Ratkoc, ai menjëherë domethanë pa humbur kohë i armatosur siç ishte, nga stacioni del në mbrojtje të popullsisë, thjesht në mbajtje të situatës sepse ajo situatë ishte e rëndë dhe predhat armike ishin të shumta, ishin të shpeshta. Dhe normalisht këtu diku afër, përtej rrugës do të goditej nga një predhë”, thotë Latifi.
Përveç Latifit, homazhe Lekës i bën edhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë.
Neshet Morina tregon se cilat tipare i kishte vërejtur tek Leka gjatë ditëve të luftës.
“Mu më kujtohet si bashkëluftëtar shumë i sinqertë, shumë qesharak nëse mund ta quaj apo i hareshëm. Dallohet me aktivitetin dhe zgjuarsinë, si luftëtar shumë i zgjuar dhe shumë trim”, tregon Morina.
Për të nderuar kontributin e qytetarëve të Ratkocit të Rahovecit në kohën e luftës, në shtypinë e kulturës së këtij fshati u promovua libri “Qëndresa e Ratkocasve” të autorit Sadik Krasniqi.
Në promovim prezent ishte deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti e qytetarë të shumtë.
Naser Krasniqi – Leka aktivitetin patriotik e kishte filluar qysh në fundin e viteve 80 dhe fillimin e viteve 90, si organizator i protestave kundër regjimit serb. Pasi që ishte i ndjekur nga regjimi ai u detyrua të mërgonte në Gjermani. Pas kthimit ai u inkuadrua njëherë në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës e më pas edhe në UÇK. Ai ra heroikisht më 4 qershor 1998 në Ratkoc.