Prokuroria e Specializuar e Hagës po tenton që me çdo kusht të prodhojë arsye për t’i mbajtur në paraburgim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes një shkrese të dërguar në gjykatë, organi i akuzës ka përmendur Shefqet Kabashin, njërin prej dëshmitarëve në rastin kundër Ramush Haradinajt, i cili ishte dënuar me dy muaj heqje lirie për shkak se kishte refuzuar të dëshmonte.
Ajo çka sipas Prokurorisë së Specializuar dëshmon ky rast, është klima jo e favorshme për dëshmitarët në Kosovë, të cilët gjithnjë sipas organit të akuzës me bazë në Hagë, nuk dëshirojnë të dëshmojnë nga frika e hakmarrjes, shkruan lajmi.net.
Një argument i tillë i përdorur nga Prokuroria ka hasur në kundërshtimin e fuqishëm të mbrojtjes së Kadri Veselit, Ben Emmerson. Avokati britanik ka thënë se në asnjë rast nuk qëndron fakti se Kabashi ishte frikësuar të dëshmonte.
Madje sipas tij këtë e dëshmojnë edhe gjetjet gjyqësore të rastit në fjalë.
“Z. Kabashi është dëshmitari të cilit i është referuar z. Reid në dëshminë e tij në gjyqin Gucati & Haradinaj, e cila kujtohet në paragrafin 14 të parashtresave të Prokurorisë. Aty, ata deklarojnë se “Z. Reid vazhdoi të kujtonte një incident të veçantë ku një dëshmitar, pasi erdhi në Hagë dhe mori qëndrimin e dëshmitarit, preferoi të akuzohej për shpërfillje të gjykatës dhe të burgosej në vend që të jepte dëshmi kundër ish-anëtarëve të UÇK-së. Në të vërtetë, ai është i vetmi dëshmitar, rrethanat e të cilit përputhen me këtë përshkrim. Përshkrimi i ngjarjeve nga Prokuroria jep përshtypjen e qartë se z. Kabashi refuzoi të dëshmonte nga frika e hakmarrjes në emër të të Akuzuarit. Megjithatë, ky nuk është një pasqyrim i saktë i gjetjeve gjyqësore në atë rast”, thotë Emmerson në parashtresën të cilën e ka parë lajmi.net.
Sidoqoftë, Emmerson ka rikujtuar faktin se Kabashi veçse e kishte dhënë njëherë dëshminë e tij në Hagë në rastin e Limajt.
Ai rikujton se deklarata e Kabashit në rastin e Limajt, u pranua si provë në rigjykimin ndaj Ramush Haradinajt.
“Duhet gjithashtu të theksohet se dëshmia e mëparshme e z. Kabashi nga rasti Limaj u pranua si provë në rigjykimin e Haradinajt. Çështja e ndërhyrjes së dëshmitarëve nuk përbënte asnjë pjesë të arsyetimit të Dhomës për pranimin e asaj prove. Kjo përfundon vëzhgimet e Mbrojtjes për çështjen e parë”, thuhet në parashtresën e avokatit Emmerson.
Avokati i Veselit tutje mohon kategorikisht konkludimet e vazhdueshme të Prokurorisë së Specializuar se gjatë gjyqit ndaj Haradinaj ka pasur incidente dhe sulme ndaj dëshmitarëve, të cilat sipas saj kanë përfunduar edhe në vrasje.
Në këtë aspekt kundërargumenton Emmerson, duke cituar Zëdhënësen e atëhershme të Regjistrit të Tribunalit e cila i kishte mohuar krejtësisht këto informata të plasuara në opinion.
“Çështja e parë ka të bëjë me keqkarakterizimin e rastit Haradinaj para TPNJ-së. Prokuroria i referohet “fatit të dëshmitarëve” në gjyqet e UÇK-së, për të cilat citon aktgjykimin e parë (Ramush) për Haradinaj. Në masën që parashtresat e Prokurorisë edhe një herë krijojnë përshtypjen se dëshmitarët në procesin e Haradinajt pësuan një “fat” – d.m.th., u vranë. Dy javë pas nxjerrjes së aktgjykimit të parë për Haradinaj, Zëdhënësja e atëhershme për Regjistrim dhe Dhoma kishte arsye të lëshonte një deklaratë për shtyp për të adresuar dezinformatat në lidhje me dëshmitarët dhe mbrojtjen e dëshmitarëve që po përhapeshin nga Serbia dhe akterët e tjerë”, thotë Emmerson, duke cituar një deklaratë të zëdhënësës së Regjistrit të Tribunalit për Ish-Jugosllavinë.
Për çka ishte dënuar Shefqet Kabashi?
Shefqet Kabashi ishte dënuar me dy muaj burgim pasi që kishte refuzuar t’i përgjigjej pyetjeve të prokurorit si dëshmitar në rastin ndaj Haradinajt.
Siç shpjegohet në aktgjykimin e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavinë, Kabashi kishte refuzuar t’i përgjigjej pyetjeve të prokurorit pasi ishte “thellësisht i zhgënjyer” që pritjet e tij në lidhje me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve sikurse masakra e Burgut të Dubravës nuk u përmbushën, pasi që vet Kabashi ishte i mbijetuar i kësaj masakre.
Në një rast, siç thuhet në aktgjykim, Kabashi ishte pyetur në rigjykim ndaj Haradinajt se a kishte frikë për sigurinë e familjes së tij, teksa ishte përgjigjur me “Nuk e di”.
Në dënimin ndaj Kabashit, Tribunali kishte marrë parasysh edhe rrethanat familjare të Kabashit si dhe gjendjen e tij shëndetësore.
Kabashi ishte rishfaqur në skenë në maj të vitit 2019 në ceremoninë përkujtimore të 20 vjetorit të Masakrës së Dubravës.
I njëjti kishte ndërprerë për disa momente këtë ceremoni duke thënë se figura të njohura të luftës dhe të mbijetuar të Masakrës së Dubravës, e kishin shpallur tradhtar atë.
“Marre duhet me ju ardhur, ju nuk duhet me qenë këtu…Cilit protokoll mua këta më thonë tradhtar qita, qyky Kuçi e qyky Njazia e qyky Naiti me shokët e vet, unë nuk jam tradhtar, unë jam luftëtar i lirisë … na keni marrë bukën, duam shtet demokrat e jo komunist”, kishte thënë i frustruar ai.
Pas këtij rasti ai ishte arrestuar nga Policia teksa i ishte gjetur edhe armë në veturë. /Lajmi.net/