Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për media ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk po sqarohet rreth raportimeve për afera në të cilat janë përfolur disa prej ministrave. Tahiri tha se Kurit është kthyer në komedian dhe flet me rima për bojelra.
Duke përmendur paralajmërimet se kompania “LIDL” pritet të investojë në Kosovë, Tahiri ka thënë se kjo është një mburrje e kotë. Ndërsa ka ftuar ekzekutivin që të deklarohet rreth akuzave për korrupsion duke shtuar se vota e Vetëvendosjes është fituar duke premtuar të luftohet korrupsioni.
Ai ka përmendur akuzat ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, si të përfshirë në keqpërdorimin e mbi 1 milion eurove të buxhetit të shtetit. Si dhe në atë të publikuar në media ndaj ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Nuk ka asnjë shpjegim, deklaratë sqaruese rreth këtyre aferave, rreth këtij tenderi, ka neglizhencë, arrogancë dhe trajtim joserioz, dhe me aferën në Ministrinë e Infrastrukturës, ku përmenden zyrtarë të kësaj ministrie dhe nuk ka një shpjegim të qartë, një reagim, konferencë prej tyre e mediave në raport me akuzat që kanë ndodh. Qeveria duhet të bëhet serioze, 50 përqind janë fituar duke fole me vite të tëra për luftën kundër korrupsionit, nepotizmin, punësimet me të njohshëm, dhe asgjë deri me tani nuk është duke lëvizur, dhe asgjë nuk është duke u argumentuar në të kundërtën. Qeveria në qoftë se nuk ka një reagim, ajo së paku duhet të merrte një vendim që kushdo që është përmend si zyrtarë t’ju kërkohet shkarkimi i tyre”, theksoi Tahiri.
Tahiri e quajti Kurti komedian që flet me fjalime me rima, për bojler e filtera, derisa ka shtuar se Kosova është në luftë ekonomike e në luftë me varfërinë.
“Tash prej një politikani është kthyer në një komedian i cili na flet me fjalime me rima, për bojlera, filtera, na tregon sa duhet me dashtë Kosovën dhe nuk merret me çështjet jetike të këtij vendi, derisa në anën tjetër të globit një komedian, pra presidenti Zelensky prej një komediani, humoristi është bërë në një lider inspirues që udhëheq një luftë fisnike. Mos harroni Kosova është në luftë, në luftë ekonomike, në luftë me varfërinë. Sot derisa po flasim është 1.75 çmimi i naftës, sot derisa po flasim asnjë zyrtari publik nuk iu është rritur paga dhe i gënjejnë që një vit e gjysmë për ligjin e pagave. Sot paga minimale është më e vogla dhe sot nuk ka asnjë ndihmë për qytetarët”, vijoi Tahiri.
Shefi i GP të AAK-së foli edhe për Ligjin e pagave duke thënë se kanë kërkuar që paga minimale fillimisht të rritet në 400 euro, ndërsa Qeveria i ka larguar disa kategori me ndryshimet e këtij ligji që ia ka dorëzuar Kuvendit.
“Në trajtimin e ligjit për pagën minimale, ne kemi qenë shumë të zëshëm duke kërkuar që paga minimale fillimisht të rritet në 400 euro bruto, që i bie 370 euro neto dhe e kemi pa si diskriminuese për tri kategori në këtë ligj. Veteranet e UÇK-së, kategori e nderuar e këtij vendi, të verbrit paraplegjikët dhe tetraplegjikët, për ata që janë në karrocë, dhe për pacientet e palëvizshëm i ka larguar nga ky ligj. Këta pagën minimale po duan ta rrisin vetëm te sektori privat, ndërsa aty ku është shteti, aty e kanë vendos një nen për mi largu këto tri kategori”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës të hënën do të shqyrtojë në lexim të parë ndryshimet e ligjeve që i hapin rrugë rritjes së pagës minimale. Propozimi, përmes këtij projektligji, synon që paga minimale të rritet në 260 euro bruto.