Pak orë para se të votohet si presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka ndarë një mesazh ku ndër të tjera njofton se e ka nënshkruar kërkesën për lirimin nga detyra e kreut të Forcave të Armatosura.
Teksa thekson se nuk është i mirë me fjalët dhe kërkon nga mediat që ta mirëkuptojnë në këtë pjesë, Begaj thotë se nëse votohet nga kuvendi si kreu i shtetit, respekti për tjetrin dhe dashuria për atdheun do të vazhdojnë të jenë filozofia e punës së tij ashtu si në Forcat e Armatosura.
“Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë sot që unë do të jem Presidenti i ardhshëm i Republikës, respekti për tjetrin dhe dashuria për atdheun do të jenë shigjetat e busullës sime në atë detyrë të lartë. Respekt pa kushte për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje. Respekt i barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar. Respekt për miqtë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë. Shqipërinë mbi gjithçka”, tha ai në një letër.
Janë 37 deputetë të PS-së ata që e kanë propozuar Bajram Begajn si kandidatin e mazhorancës për president të Shqipërisë.
Nënshkrimet u morën gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së të thirrur nga kryeministri Edi Rama mëngjesin e së shtunës dhe iu dërguan Kuvendit siç parashikon ligji.