Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri gjatë një konference për media adresoi një sërë çështjesh, që sipas tij, tregojnë çështjen e nivelit të lartë të arrogancës dhe të jo seriozitetit të Qeverisë së Kosovës.
Tahiri përmendi deklaratën e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari e cila në një prononcim për media lavdëroi sistemin fiskal dhe tatimor në vend. Sipas Tahirit, kjo arritje është merite e qeverive të kaluara dhe rezultat i punës që është bërë ndër vite.
“Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë foli për investimet strategjike dhe e cila mburret me sistemin fiskal dhe tatimor të Kosovës, për të cilat s’ka bërë asgjë. Në fakt, mburret për një investim të një rrjeti të supermarketeve. Pyetja ime për të dhe Qeverinë e Kosovës është që: a i kanë vizituar komunat e Kosovës për të parë se sa ka rrjete të supermarketeve vendore si, “ETC”, “Viva Fresh”, “Meridian”, etj. A janë këta investitorë strategjikë dhe a kanë përfituar si investitorë strategjikë?”, u shpreh ai.
Tutje, Tahiri foli rreth deklaratës së zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili sukseset në ministrinë e Drejtësisë i krahasoi me shpejtësinë e ‘vajit në tepsi’.
“Çështja e dytë, lidhet me zëvendësministrin e Drejtësisë, i cili flet për shpejtësinë e punës në qeveri, e madje edhe për shpërndarjen e ‘vajit në tepsi’. Dhe, arrin të ofendojë rëndë deputetët e Kuvendit të Kosovës duke u thënë ‘pronarë të budallakisë’, por nuk kthehet mbrapa e të shikojë shpejtësinë e vendimeve në këtë qeveri. Qe tri herë shtyhet Ligji i Pagave. Asnjë ligj që i prekin jetesën e vendet e punës nuk është miratuar në Qeveri”, tha Tahiri.
“Këtë javë janë denoncuar disa ministri. Në rastin e parë është denoncuar Ministria e Jashtme dhe Diasporës për një tender 1.1 milion euro. Nuk ka asnjë qartësim rreth këtij tenderi. Ka neglizhencë, arrogancë dhe trajtim joserioz.
Ndërsa, në aferën në Ministrinë e Infrastrukturës, ku përmenden zyrtarë të kësaj ministrie, nuk ka një shpjegim të qartë, një reagim në raport me akuzat që u janë bërë.
Qeveria duhet të bëhet serioze, ngase 50% i kanë fituar duke folur me vite të tëra për luftën kundër korrupsionit, për nepotizmin për punësimet më të njohshëm. Asgjë deri më tani nuk është lëvizur dhe nuk është duke u argumentuar në të kundërt.
Qeveria, në qoftë se nuk ka një reagim, së paku do duhej të merrte një vendim, që kushdo që është përmendur si zyrtarë në këto afera, do duhej të shkarkoheshin. Albin Kurti si kryeministër i Kosovës ka arritur në këtë funksion, duke qenë një aktivist i suksesshëm dhe një politikan që ka marrë mbi 50% të votave. Tash, prej një politikani është kthyer në një komedian, i cili na flet me fjalime me rima, flet për bojlera e filtera, na tregon sa duhet ta duamë Kosovën, por nuk merret me çështjet jetike të këtij vendi.
Kosova është në luftë ekonomike, në luftë me varfërinë. Asnjë zyrtari publik nuk i është rritur paga, qe një vit e gjysmë i gënjejnë për pagën minimale e cila është më e vogla dhe nuk ka asnjë ndihmë për qytetarët”, përfundoi ai.