Muajin që shkoi, pikërisht në ditën kur Rifat Latifi do të merrte pjesë në një konferencë shkencore në kolegjin mjekësor të Nju Jorkut, një mjek nga Ferizaj, njoftoi publikisht se po e linte Kosovën, për të nisur një punë në ndonjë spital në Gjermani me një pagë dhjetëfish më të lartë. Latifi, që udhëtoi pak para, ose në të njëjtën ditë me Kurtin, qëndroi në SHBA rreth 20 ditë, duke e përsëritur ritualin e fluturimeve të shpeshta përtej Atlantikut. Kështu, ministri që është zotuar se do të bëjë transformimin e shëndetësisë dhe që angazhohet për kthimin e mjekëve në Kosovë apo siç e thotë ai “kthimin e trurit” në Kosovë, bëri me dije se mendjen e ka ende në Amerikë, ku ka jetuar gjatë. Mjeku nga Ferizaj nuk është i vetmi që e la Kosovën, statistikat janë të frikshme, aq sa u komentuan edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë. Doktori që ka emër në Amerikë, kirurgu Rifat Latifi, me kravatën ‘papillon’, të cilin Kurti e bëri ministër, deri tani nuk po jep shpresë.
Kur Albin Kurti ishte ulur verën e kaluar për të menduar se kush do të jetë zëvendësuesi i Arben Vitisë në postin e Ministrit të Shëndetësisë, pasi ky i fundit do t’i futej garës për Prishtinën, nuk e ka lëshuar rastin për të befasuar edhe një herë, siç ka bërë me shumë emërime.
Duke mos pasur shumë mundësi, ai u përcaktua për Rifat Latifin, një profesionist me emër, por që dikur ishte këshilltar i jashtëm i rivalit të Albin Kurtit, ish kryeministrit e ish Presidentit Hashim Thaçi.
Pavarësisht kësaj “të kaluare” në bion e tij, Latifi nuk mund të thuhet se është person partiak që i ka shërbyer “regjimit 20 vjeçar”.
Kurti duket se i kishte bërë kollaj llogaritë.
Askush nuk do t’ia kontestonte përzgjedhjen e një mjeku me përvojë në klinikat amerikane që është edhe autor librash të mjekësisë, madje do të përçohej mesazhi se ai shëndetësinë e ka prioritet të lartë, duke ua besuar profesionistëve.
Mjeku pedant, me kravatë ‘papillon’ dhe me çizme kaubojsh, të cilat iu komentuan gjatë, që nga nëntori i vitit të kaluar kur morri detyrën, iu deshën disa muaj për të incizuar gjendjen që më pas të dalë me disa ide për “transformimin” e shëndetësisë në Kosovë.
Shëndetësia e Kosovës është në formë të keqe në dy dekadat e fundit. Objektet spitalore janë vjetruar, nuk përmbushin standardet higjienike shëndetësore, nuk ofrohen shumë shërbime dhe pacientët duhet të blejnë barna kur trajtohen, mjekët po largohen nga vendi, aty zhduken aparatura mjekësore dhe një mijë telashe tjera. E për më keq, nga aty, po ikin edhe mjekët. Problemet nuk mungojnë as në spitalet e reja brenda QKUK që janë ndërtuar së voni, ku për shembull, sipas raportimeve, mungojnë madje edhe laboratorë për analiza.
Sigurisht, Latifi që ka bërë disa vizita në QKUK dhe që ka përvojë në spitalet e Kosovës pasi ai është themelues i telemjekësisë në Kosovë, e di këtë gjendje.
Por, fill pas emërimit, Latifi mungoi për disa ditë dhe atë e arsyetoi vetë Kurti. Kryeministri kishte theksuar se ministri i tij i ri, Latifi, kishte udhëtuar “për çështje të natyrës profesionale”.
“Tash s’ka person që s’është online dhe ai i koordinon punët”, pati deklaruar Kurti.
“Pas një karriere shumëvjeçare në SHBA, një çik si shpejtë i është dashur të përgatitet të vijë në Kosovë e direkt në pandemi. Prandaj nuk mund të them se është për qëllime personale, por për shkaqe të cilët kanë të bëjnë edhe me institucionet ku ka punuar ai atje. Meqenëse është person i cili ka shkruar 350 artikuj në revista shkencore dhe ka numër të pafundmë të studentëve që kanë magjistruar e doktoruar tek ai, janë disa çështje të vogla teknike që janë të natyrës profesionale, por ai më ka siguruar se duke i ndarë punët me kohë në ministri e duke qenë vazhdimisht online nuk do ta cenojë për asnjë moment bashkërendimin dhe funksionimin e MSH-së në këtë kohë pandemie”, kishte theksuar Kurti.
Destinacion i Latifit nuk ishte vetëm Amerika. Për të parë si menaxhohet shëndetësia ai shkoi edhe në Turqi e Norvegji.
Disa muaj pas emërimit, në muajin prill, Latifi doli me disa ide për transformimin e shëndetësisë. Kur i shpalosi ato, aty nuk i shkoi Kurti, por zëvendësja e tij Emilia Rexhepi.
Mjeku 67 vjeçar, përmendi digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore, sigurimet shëndetësore, “kthimin e “trurit” të humbur dhe ruajtja e trurit shëndetësor që ekziston tani, përmes programeve konkrete në shëndetësi”, qendrat klinike të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike, kërkimet shkencore dhe krijimin e kapaciteteve hulumtuese, proceset për akreditim ndërkombëtar, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe decentralizimin e sistemit spitalor dhe ri-organizimin e ShSKUK/QKUK.
Këto, tha ai, janë shtatë shtyllat e programit të tij për shëndetësinë, e në qendër të krejt transformimit theksoi se është pacienti.
Prezantimin e bëri para përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore, të odave të profesionistëve shëndetësor, Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve dhe akterëve të tjerë brenda sektorit shëndetësor ndërkohë që programin e tij e pagëzoi “Rruga drejt transformimit”.
Ai përmendi se, krahas intervenimeve në infrastrukturë dhe riorganizim, krijimi i disa qendrave si Qendra e Emergjencës dhe Traumës, Qendra për kancer të Gjirit, pastaj programet e integruara dhe të avancuara në Onkologji, Kirurgjia endoskopike, Qendra e avancuar e Neurokirurgjisë, e të tjera, do të jenë pjesë e programit të tij, ndërkohë që adresoi edhe sfidat e kuadrit deficitar në Anesteziologji dhe Kujdes Intensiv si dhe në lëmi të tjera të cilat do të trajtohen.
“Si do t’i arrijmë këto? kishte pyetur Ministri.
Për t’u përgjigjur pastaj: “Me angazhim dhe përgjegjësi të plotë, vizion e planifikim të qartë, transparencë të plotë me secilin partner dhe sigurim të ekzekutimit të plotë dhe me kohë të çdo projekti të filluar”.
Pikërisht në periudhën kur Latifi po bënte stazh në rolin e ministrit dhe kohë pas kohë po udhëtonte në Amerikë, që kulmoi me vizitën rreth 20 ditore kur atje ishte edhe Kurti, në Kosovë, vazhdonin lajmet për largimin e mjekëve.
Nëse kërkon në Google rreth kësaj teme, menjëherë shfaqen tituj si “çdo ditë largohet nga një mjek nga Kosova”.
Federata Sindikale e Shëndetësisë e cila ka bërë një hulumtim, ka njoftuar se pa përfshirjen e infermierëve, Kosovës i kanë ikur 400 mjekë për tre vjet.
Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë kishte deklaruar se në bazë të një pyetësori, ku prej 1 mijë studentëve që janë anketuar, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se do të ikin jashtë vendit.
Por këtë e relativizoi krejt zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi javë më parë kur bëri një deklaratë që bëri bujë. Ai la të kuptohet se largimi i mjekëve nuk përbën shqetësim të madh.
“Po, kanë ikë mjekët prej Kosovës, kanë ikë mjekët gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo pse është rritur popullsia e Gjermanisë, po se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë. Do të thotë edhe prej Gjermanisë ikin mjekët dhe pastaj shtrohet nevoja që me ardhë mjekë nga Ukraina, Kosova, Italia, Polonia. Mobiliteti është vlerë e BE-së. Politikat kryesore të BE-së janë me rritë mobilitetin e fuqisë punëtorë ”, tha Bislimi.
Por, kjo ndryshe shihet nga ambasadori i vendit ku po shkojnë mjekët tanë.
Rohde duke komentuar për turmat para ambasadës tha se imigrimi është i mirë për Gjermaninë, ndërsa largimi i njerëzve nga Kosova jo.
Kur u pyet specifikash për mjekët, Rohde tha se atyre duhen përmirësuar kushtet e punës dhe pagat.
“E thashë më herët duhet përmirësuar kushtet mjekët duhet të marrin rroga mandej kjo situatë nuk shihet vetëm në Kosovë, në Serbi Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni e Veriut edhe atje ka një largim të madh”, deklaroi ai.
Si për të ilustruar gjendjen e pashpresë në këtë sektor, pikërisht në kohën kur Kurti e Latifi po qëndronin në vizitën e stërzgjatur në SHBA, u lajmërua një mjek i ri që tha se po largohet drejt Gjermanisë
Gastroenterologu, Flamur Llabjani tha se në Gjermani do të punojë të njëjtën punë që ka punuar në Prishtinë.
“Në Gjermani kam qenë disa herë si mysafirë në shumë klinika, dinjiteti është shumë më i lartë. Ne do punojmë njëjtë si në Prishtinë, vazhdon puna e njëjtë”, shkroi ai.
Përmendi se atje do të paguhet dhjetëfish më shumë.
“Aspektin financiar nuk e kisha vendosur të parë, mbi dhjetëfish do të marrë në muaj, 480 euro kam marrë në Kosovë. Të ardhurat janë shumë të mira, fatkeqësisht për këtë duhet të largohem përkohësisht nga vendi, në momentin që do të krijohen kushtet do të kthehem”, shtoi ai.
Punën e ministrit Latifi është duke e përcjellë edhe një mjek tjetër që është edhe politikan brenda koalicionit, Haxhi Avdyli i Listës “Guxo”.
Ai megjithatë fajin ia vë Kurtit e jo kolegut të tij të profesionit.