Këmbëngulja për t’i mbajtur mediat në anën tjetër të llogores, duke i konsideruar armiq, palë të urryeshme në një fushëbetejë asgjësuese, nuk mund të pasqyrojë, madje as të lërë të shpresohet për një shoqëri të lirë dhe demokratike
Arben Idrizi
Pushteti është në thumb. Sepse kështu duhet të jetë. Të paktën, në parim. Pushteti është në thumb të mediave, pushteti është në thumb të shoqërisë civile, pushteti është në thumb të opozitës; pushteti po ashtu mund të jetë në thumb të vetvetes.
Pushteti është në thumb të opozitës, sepse, pa e përjashtuar përjashtimin, gjithçka që bën pozita është për t’u kritikuar dhe edhe kundërshtuar; nëse pushteti e zë lepurin me qerren me të cilën e zinte edhe ajo sa ishte në pushtet, opozita duhet të thotë se ta zësh lepurin me qerre është ligësi që mund ta bëjë vetëm ky pushtet. I lejohet ta bëjë këtë, sepse, pra, i duhet t’i bjerë thumbit që t’ia zërë vendin. Me fjalë të tjera, pushteti duhet të mbahet në thumb.
Pushteti mund të jetë në thumb të vetvetes, ngase persona a grupe të caktuara brenda qarkut një ditë, për arsye të caktuara, të qëndrueshme a të paqëndrueshme, për interesa personale a kolektive, mund të kenë pakënaqësi që do t’i bëjnë të dalin kundër vetvetes, pushtetit në të cilin gjëllojnë, dhe kështu të kërkojnë ndryshime të caktuara ose tamam rrëzimin e tij.
Pushteti është në thumb të shoqërisë civile, ngase kjo është monitoruese e saj. Në përgjithësi dhe në parim, është monitoruesja më profesionale. Organizata të caktuara, grupime të caktuara hetojnë, analizojnë dhe vlerësojnë profesionalisht punët e pushtetit.
E në fund, mediet. Antipushteti i vërtetë. Duke qenë se nuk e bëjnë këtë për t’ia zënë vendin; përkundrazi, për ta korrigjuar, për ta përmirësuar, për t’ia bërë vendit shërbimin, do të thotë të mirën, që pushteti nuk deshi, nuk diti a nuk ia doli t’ia bënte. Sigurisht, jo duke bërë, por duke treguar, duke zbuluar, duke vërtetuar.
Mediat, pra, janë syri i gjithëparës. Si të tillë, sa të dëshirueshme dhe të pranueshme, janë po aq edhe – për ata që s’duan të shihen, të zbulohen, t’u dalë në shesh e palara – të padëshirueshme, të urryeshme, të përjashtuara.
Pra, fatkeqësisht, janë edhe në thumb.
***
Vetëvendosje ka qenë skajshmërisht e armiqësuar me mediat si kur ishte në opozitë, si tash, edhe më keq, kur është në pushtet. Sa ishte në opozitë, ngase i shihte si instrumente të pushtetit (pa përjashtuar se ndonjëherë edhe mund ishte ashtu) dhe ekskluzivisht kundër saj, thua se të gjithë përreth ishin të marrët që nuk e shihnin të përzgjedhurin që kishte zbritur në tokë. Mjaftonte edhe të keqkuptonin ndonjë adresim në raport me të dhe eksponentë të saj të vërsuleshin me të gjitha forcat, duke mos zgjedhur formë thumbi, prej sharjes së rëndomtë te etiketimet, shpifjet dhe poshtërimet e papërballueshme. Pothuajse s’ka pasur gazetë, gazetar, opinionist të cilit të mos i kenë reaguar, në të dy këmbët, maje thumbi. Madje, më së rëndi e kanë pësuar në kurrizin e vet (e rrjedhimisht ambienti kulturor shoqëror) të gjithë ata që dikur ishin pjesë e VV-së dhe tani kanë qëndrime të kundërta me të – atyre, posaçërisht atyre nuk u lihet as edhe një fjalë e vetme; ndaj tyre, posaçërisht tyre nuk zgjidhen thumba.
Nuk është se nuk e kanë bërë edhe subjektet e tjera, në pushtet a në opozitë, por jo gjithmonë dhe jo për gjithçka.
***
E megjithatë, sa është e preferueshme, demokratike dhe e ligjshme që mediat të mbahen në thumb nga pushteti? Sidomos kur dhe vetëm e vetëm ngase raportojnë, vlerësojnë në mënyrën e tyre punën e pushtetit?
Ngase, gjithherë në parim, nëse mediat bëjnë shkelje në punën e tyre, atëherë janë organet përkatëse që merren me këtë.
Këmbëngulja, gatishmëria, kënaqësia për t’i mbajtur mediat në anën tjetër të llogores, duke i konsideruar armiq, palë të urryeshme në një fushëbetejë asgjësuese, nuk mund të pasqyrojë, madje as të lërë të shpresohet për një shoqëri të lirë dhe demokratike.