Kjo është një nga videot e Lulzim Jashari, i cili përmes pjesëmarrjes në një emision mblodhi mbi 800 mijë klikime.
Jashari thotë se nga përdorimi i këtij aplikacioni ai arrin të fitojë shuma të mëdha parash në muaj. E shifrat e përfitimit nga këto rrjete sipas deklarimeve të fundit në media arrijnë deri në 20 mijë euro. Por shumë shpejt të ardhurat e tij por edhe të gjithë atyre që përfitojnë në këtë formë do të duhet të deklarohen dhe të paguhet tatim për to.
E pas këtij lajmi, Lulzimi Jashari, përfitues nga rrjetet sociale tregohet më i rezervuar të flas në shifra se sa përfiton. Megjithatë, ai është i bindur se vendimi për tatim të të ardhurave nuk do ta prekë atë.
“Përfitime ka shumë të mira, përfitojë normal edhe bëjë reklama të bizneseve. E kam dëgju një lajm që me i pagu tatimet në ATK por unë nuk jam i lidhtë me Kosovë kështuqë mua nuk kanë çfarë më bëjnë se unë jam i lidhur me jasht. I marr të ardhurat nga Evropa e jo nga Kosova”, tha ai.
Por se si përfitohet financiarisht nga rrjetet sociale tregon Oltion Beshiri, njohës i rrjeteve sociale.
“Përmes rrjeteve sociale janë zhvilluar edhe mënyrat se si mund të përfitojnë. Për dallim nga vendet evropiane, në Kosovë nuk është shumë i zhvilluar përfitimi direkt prej rrjeteve sociale. Mënyra se si përftojnë është përmes zgjedhjeve kreative sikurse shitja e produkteve, bashkëpunimi me brendet e ndryshme etj. Bazuar në vendimin e fundit mendoj se gjitha bizneset që kanë shitje në rrjetet sociale ato duhet të jenë të regjistruara në Agjencionin e Bizneseve të Kosovës dhe t’i paraqesin si të hyra në fushën e marketingut”, shtoi ai.
Gjithë këto përfitime deri më tani nuk janë tatuar nga arka e shtetit të Kosovës. Por tash e tutje ato duhet të deklarohen, zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës kanë thënë për RTK-në se janë në fazën e mbledhjes së informative në lidhje me përfituesit në rrjetet sociale.
“Varësisht pej fitimit që ka një individ atëherë edhe i kalkulohet pjesa që e ka obligim. Ajo llogaritet sipas normave të aplikueshme në Kosovë. Nëse kalojnë mbi 30 mijë euro fitimin atëherë e ka normen 18% dhe më pas ato më pak 10%. Mos të mirret kjo si një mënyrë që na duam ta ngushtojmë veprimtaritë e tyre përfituese por ne i perkrahim çdo aktivitet që krijon të ardhura por duhet pas parsyshe ndërgjegjësimin dhe të dijë përgjegjësitë që i ka për pjesen e obligimit të tatimit”, tha Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në ATK.
Sipas ATK-së, të gjithë ata që nuk do të deklarojnë përfitimet nga rrjetet sociale do të përballen me ligjin.