Kosova dëshiron ta gjejë një kohë të mirë për të aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në NATO. Presidentja Vjosa Osmani tha se grupi punues ndërinstitucional i formuar për këtë çështje po punon për ta përcaktuar kohën më të mirë për aplikim.
Osmani në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve, MINA, theksoi se anëtarësimi në BE dhe NATO është rruga e vetme përpara për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Vendi im nuk ka parë kurrë opsione të tjera. Këtë e kemi parë jo vetëm si këndvështrim të popullit të Kosovës, por si vizion të çdo qeverie dhe institucioni që e ka udhëhequr vendin deri më tani”, tha ajo.
Osmani kujtoi se disa vende të rajonit tashmë janë në NATO, përfshirë Malin e Zi, i cili, shtoi ajo, ka kontribuar në sigurinë në rajon.
Ajo tha se është koha që Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës t’i ofrohet një rrugë e qartë dhe e përshpejtuar drejt NATO-s, përcjell Express.
“Natyrisht, Serbia nuk e tregon atë synim. Megjithatë, duhet të jetë e qartë për të gjithë të tjerët që po punojnë për anëtarësimin në NATO se, nga pikëpamja e sigurisë, anëtarësimi është i nevojshëm në dritën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Osmani.
Ajo tregoi se Kosova ka formuar një grup punues ndërinstitucional që po merret me këtë çështje.
“Kur ai grup ta përfundojë punën e tij, ne do të mund të dalim me datën e saktë”, tha Osmani.
Ajo tha se rruga drejt anëtarësimit në NATO kalon edhe përmes Partneritetit për Paqe, që është hapi i parë për Kosovën.
“Aktualisht jemi duke u përballur me një situatë mjaft absurde, pasi Partneriteti për Paqe përfshin vende si Bjellorusia e Lukashenkos, si dhe Serbia, vende anti-NATO që as nuk po tentojnë të hyjnë në aleancë”, tha Osmani.
E pyetur se çfarë reagimi pret nga Beogradi zyrtar kur Kosova të dorëzojë zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në NATO, ajo tha se Kosova kurrë nuk do ta kishte shpallur pavarësinë, po t’i kishte parë reagimet e Serbisë.
Osmani tha se kur Kosova të jetë e gatshme të aplikojë për anëtarësim në NATO, reagimi i Serbisë është padyshim diçka për t’u kushtuar vëmendje.