Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot në Bratislavë të Sllovakisë.
Vuçiq ka njoftuar për temat që ka diskutuar me të, derisa tha se biseda ishte “e hapur dhe e sinqertë” për situatën në rajon, “si dhe për të gjitha temat me interes për të vazhduar në mënyrë konstruktive dialogun me Prishtinën”.
Ndonëse një numër marrëveshjesh të Brukselit s’janë zbatuar nga ana e Serbisë, Vuçiq tha se “u dakordua” me Lajçakun “që përmbushja e detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit mbetet mesazhi kyç për çdo bisedë të mëtejshme”, duke shtuar se kanë analizuar atë që është arritur deri më tani.
“Ritheksova përkushtimin e plotë të Republikës së Serbisë për vazhdimin e këtij procesi dhe për përpjekjet për të arritur një zgjidhje kompromisi për të krijuar marrëdhënie më të mira ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë Vuçiq.
“Ne ramë dakord që bashkëpunimi rajonal, duke ruajtur paqen dhe stabilitetin, është e vetmja rrugë e drejtë për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Ky takim u zhvillua në kuadër të Forumit “GLOBSEC 2022”, që mbahet në Bratislavë.