Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka mbetur në fazën e hartimit të statutit të tij.
E kryeministri i vendit, Albin Kurti i pyetur nëse qeveria është duke punuar në draftin e asociacionit, ai nuk e pohoi një gjë të tillë.
“Me sa e di Qeveria e PAN-it pat punuar diçka një draft statut, por nuk e kam shumë parasysh përmbajtjen e atij draft statuti sot. Ndërkaq ne i mbështetemi interesave të Republikës së Kosovës dhe letrave të presidentit Biden dhe sekretarit Blinken, që e vënë në qendër të marrëveshjes së ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë njohjen reciproke”, tha Kurti.
Qeveritë e kaluara kanë hartuar disa drafte për statutin e këtij asociacioni.
Madje televizioni ka siguruar një të tillë që është përpiluar në vitin 2013.
Ky draft asociacionin e emëron si “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”. E për emblemën e tij parashihte që të ishte në pajtim me legjislacionin përkatës për simbolet në Kosovë.
Ky dokument ishte përpiluar nga Ekipi Menaxhues i Qeverisë së Kosovës në vitin 2013. E që parashihte themelimin e këtij asociacioni pa kompetenca ekzekutive.
“Asociacioni themelohet në pajtim me Nr. 04/L-57 Për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare në Republikën e Kosovës”, thuhet në Neni 11(Procedura e themelimit të Asociacionit) të atij dokumenti.
Madje në nenin – 24 për kontrollin e aktivitetit financiar, ky draft-statut parasheh që raportet e auditimit, asociacioni duhet t’i deponon tek organet kompetente ashtu siç parashihet me Ligjin Nr. 04/L-57 Për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare në Republikën e Kosovës
Tëvë1 merr vesh se në atë kohë ky Draft i statutit të asociacionit është dorëzuar në Bruksel dhe në fund të nëntorit të vitit 2013 është mbajtur një takim mes palëve për të diskutuar për të.