Florian Ramqaj, këshilltar i Ministrit Liburn Aliu ka reaguar pasi emri i tij u përmend në një dyshim për skandal të publikuar nga Web-emisioni “Ditari i Buzhalës”.
Ramqaj ka thënë se s’ka asgjë të vërtetë, duke i quajtur këto raportime shpifje. Madje, ka paralajmëruar edhe padi.
“Nuk ka asgjë të vërtetë te sulmet me shpifje, përveç faktit se shpifjet po porositen nga ata që janë stërpasuruar padrejtësisht. Nga ata që ne ua kemi ndalë hajninë.
Pikërisht në kohën kur lëre që nuk ka keqpërdorime por edhe ku janë duke u luftuar e denoncuar cdo ditë keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur, sidomos në ministrinë Infrastrukturës, sot qenka publikuar një emision, ku për ironi lakohet emri im për kinse keqpërdorime”, ka shkruar Ramqaj në Facebook.
Ai u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë e tij.
“Sot, pastërtine time unë po e shprehi në dy mënyra. Së pari, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta pretendimet edhe interpretimet e bëra – që më së shumë tregojnë për familjarizimin e autorit të këtij emisioni me praktikat korruptive të deritanishme. Së dyti, duke shprehur gatishmërinë por edhe duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë time përgjatë kohës sa jam i angazhuar në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka shkruar Ramqaj.
Ndryshe, Web-emisioni “Ditari i Buzhalës” ka trajtuar një rast korrupsioni ku përmendet edhe emri i ministrit Liburn Aliu, dhe ku nuk mungojnë shumat astronomike, pushteti e ryshfeti, dhe daja e nipi.
Gazetari Berat Buzhala, në këtë emision pretendon se ka zbuluar përgjime autentike që dëshmojnë se si një kompani projektuese e lidhur me pushtetin e Vetëvendosjes, u zu “me pelë për dore” duke kërkuar ryshfet.
Që në Kosovë kërkohet ryshfet, kjo ishte një hamendje e kahmotshme, anipse shpesh mungonin faktet për ta dëshmuar se ndodhte, e për ta kuptuar se si ndodhte, shkruan Gazeta Nacionale. Por, kësaj radhe çështja është shumë më e rëndë, e njëkohshëm edhe më sqaruese, meqë kompania del të ketë lidhje me majën e pushtetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe sqaron mënyrën se si ndodh korrupsioni.
Është fjala për kompaninë e quajtur “Infratek”, në të cilën kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut. Dhe, madje jo veç që kishte punuar, por edhe kishte lidhje familjare me pronarët. Ata ishin dajtë e tij.
Emri i këtij këshilltari është Florent Ramqaj. Emri i ministrit është Liburn Aliu. Emri i dajës është Halil Jahaj. Mbiemri i ministrisë është “e Infrastrukturës”. Shuma e ryshfetit? Bëhet fjalë për 30 mijë euro. Pra, bëhet fjalë për 20 mijë euro që jepen një herë, e 10 mijë të tjera më vonë.
Nipi i shefave të kompanisë ryshfet-kërkuese e këshilltari i Liburnit, Florent Ramqaj, dikur protestonte me aktivistë të Vetëvendosjes edhe për bileta më të lira të autobusit, por del se sot është njeri shumë i pushtetshëm.
Kompania e dajës së Vetëvendosjes – siç quhej Halili nga aktivisti i shquar i partisë së Kurtit, Pajtim Demaj – kishte për detyrë që të shkruante raportin për punët e kryera nga kompanitë e caktuara. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parashikonte ligji, përfaqësuesi i kompanisë dëgjohet duke keqpërdorur detyrën zyrtare, pra pushtetin, për të marrë përfitime financiare.
Për më keq, nga përgjimet e publikuar në “Ditari i Buzhalës” nënkuptohet se edhe nëse kompania ndërtimore do t’i kishte kryer punët si duhej sipas të gjitha rregullave e standardeve të projektuesit, do t’i nënshtrohej ryshfetit në fjalë.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, prej 23 marsit 2021 drejtohet nga Liburn Aliu, një prej njerëzve më të pushtetshëm në Vetëvendosje për shkak të afërsisë me liderin, Albin Kurtin.
Në muajt e fundit pas ardhjes në pushtet, mediet raportuan për shtëpinë e Liburn Aliut në Lagjen Marigona, dhe e cila nuk përkonte me imazhet e politikanit që avokonte për varfërinë dhe për mjerimin. Por, emri i Liburn Aliut përmendet edhe në këto përgjime.
“E ka jaran Liburnin”, thotë në një sekuencë përfaqësuesi i Infratek-ut duke e mbështetur kërkesën për ryshfet – e cila në një moment shndërrohet edhe në kërcënim – ndaj viktimës.