Në Gjykatën Themelore të Prishtinë, të mërkurën ka dështuar të nis gjykim për rastin e përleshjes fizike mes Dardan Molliqajt, kryetarit të PSD-së, shoqëruesit të tij dhe deputetit të VV-së, Haki Abazi, pas debatit televiziv “Pressing” në T7.
Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarve Dardan Molliqajn dhe Fatos Sahiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Debati i 11 shtatorit 2019, në mes Molliqajt dhe Abazit, ishte zhvilluar me tensione e ofendime, që kishin ndikuar që pas debatit të përfundonin me përleshje fizike.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 14 shkurt 2020, për veprën penale “sulmi” ka akuzuar Dardan Molliqajn dhe shoqëruesin e tij, Fatos Sahitin.
Lajmin e kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 14.02.2020, ka ngritur Aktakuzë ndaj personave me inicialet F.S., dhe D.M., në drejtim të veprës penale “Sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes, rastin e ka proceduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.
Për këtë rast, në media ishin publikuar edhe pamjet e kësaj përleshje në mes Molliqajt, shoqëruesit të tij dhe Haki Abazit.