Një gjuajtje me armë zjarri është raportuar të ketë ndodhur sot në Istog.
Një qytetar ka raportuar në polici se përderisa po ecte në rrugën “Nënë Tereza” të kësaj komune, një person nga një veturë në lëvizje ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, shkruan lajmi.net.
Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Sot me datë 31.05.22 rreth ores 11 :42 viktima përmes telefonit ka raportuar në polici se derisa ishte duke lëvizur këmbë në rrugën Nënë Tereza në Istog, në afërsi të tregut të gjelbertë, derisa ka kaluar një veturë sipas viktimës dyshohet se një person nga kjo veturë të ketë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij/viktimës. Viktima nuk është qëlluar dhe nuk ka lendime, ne vendngjarja ka dalur te gjitha njesite relevante te policise si dhe hetimet rajonale. Deri tani në vendngjarje nuk është gjetur ndonjë dëshmi dhe nuk dihet çfarë armë mund të jetë përdorur”, tha Gashi.
Ai tha se me të marrë informatën, policia ka ndërmarrë veprime hetimore që përfshijnë edhe marrjen e pamjeve të kamerave përreth.
“Janë duke u analizuar pamjet nga kamerat përreth, dhe janë marrë në pyetje disa dëshmitarë të rastit. Ata janë intervistuar por nuk kanë dëgjuar të shtëna. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe nga i njëjti është udhëzuar të cilësohet rasti shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha ai.