Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, kanë mbetur të vetëm në përpjekjen e tyre për ta shtyrë përpara iniciativën “Open Balkan”, që sipas tyre synon të shtyjë përpara bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Ndryshe nga Vuçiqi, Edi Rama ka kundërshtarë të kësaj ideje edhe brenda udhëheqësisë Shqipërisë. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është kundër një iniciative të tillë. Këtë kreu i shtetit shqiptar e ka thënë gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.
Për këtë nismë sinjale të përziera vijnë edhe nga udhëheqësia e Maqedonisë së Veriut, meqë presidenti Stevo Pendarovski në deklarimin e tij të fundit ka thënë se “Ballkani i Hapur” si ide është e mirë, megjithatë thotë se s’është alternativë për Bashkimin Evropian dhe se Procesi i Berlinit i pëlqen më shumë.
Ish-kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka qenë bashkë me Ramën dhe Vuçiqin një përkrahës i madh i kësaj iniciative.
Njejtë sikurse Maqedonia, edhe nga Mali i Zi s’ka qartësi sa i përket bashkëngjitjes ose jo në këtë iniciativë, meqë kryeministri Dritan Abazoviq dhe presidenti Milo Gjukanoviq kanë mospajtime që Podgorica zyrtare t’i bashkohet nismës.
Madje pëlqimi i Dritan Abazoviq për iniciativën, u zbeh paska me deklarimin e fundit të tij, meqë tha se shteti i tij do t’i bashkohet iniciativës në takimin e radhës në Ohër, por vetëm si vëzhgues.
Kundër kësaj iniciativë fuqishëm ështe duke qëndruar edhe Kosova. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeminsitri Kurti nuk duan iniciativa paralele me Procesin e Berlinit që mban vulën e Bashkimit Evropian, raporton Gazeta Express.
Në iniciativë nuk është përfshirë as Bosnja e Hercegovina.
Por çfarë thonë ndërkombëtarët për këtë nismë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin si të qëlluar përpjekjen për rritjen e bashkëpunimit rajonal mes vendeve, megjithatë thonë se për të funksionuar një iniciativë sikurse “Ballkani i Hapur” atëherë ajo duhet t’i përfshijë të gjitha shtetet.
“Si një shtet sovran dhe i pavarur, Kosova ka të drejt të përcaktojë prioritetet e saj të politikës së jashtme. Thënë kështu, SHBA-ja mbështet përpjekjet gjithëpërfshirëse për të siguruar integrimin ekonomik rajonal. Këtu përfshihet Procesi i Berlinit, Tregu i Përbashkët Rajonal, CEFTA dhe nisma e “Ballkanit të Hapur. Megjithatë, këto nisma mund të kenë sukses vetëm nëse ato janë të hapura për të gjitha vendet dhe ofrojnë sisteme të përshtatshme ligjore dhe rregullatore që integrohen me standardet evropiane”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë./Express/