Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani një ditë më parë ka marr pjesë në Samitin e Demokracisë me temën “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan”, që po mbahet në Mal të Zi, ndërsa temë e debatit ishte edhe nisma “Open Balkan.
Gjatë këtij samiti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shkëmbyen replika lidhur me nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.
Gjatë një diskutimi të panelit në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore, Abazoviq tha se një pjesë e shoqërisë së Malit të Zi e kundërshton “Ballkanin e Hapur” për shkak të rolit të Serbisë në këtë nismë.
Më herët, lideri i Malit të Zi kishte deklaruar se do të merrte pjesë në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” që mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, duke u përballur me kritika të shumta për këtë gjë.
“Për mendimin tim, një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton [‘Ballkanin e Hapur’], vetëm sepse është kundër çdo gjëje që është Serbia. Ata nuk e kanë problem nismën, por kanë problem personal”, ishte shprehur Abazoviq, njofton Rel dhe sipas tij “problemet personale në politikë shpeshherë nuk japin mundësinë për ndonjë lloj vizioni”.
“Unë nuk po angazhohem për ‘Ballkanin e Hapur’ ose për Procesin e Berlinit apo ndonjë nismë tjetër. Unë po angazhohem për bashkëpunimin rajonal. Çdo nismë që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, gjithçka që mund të shfrytëzojmë për bashkëpunim, është sukses”, tha Abazoviq.
E ndaj këtij komenti të Abazoviqit reagoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Se a është dikush lider i zgjedhur në mënyrë demokratike, që beson në vlerat e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe në demokracinë dhe a është dikush ish-ministër i propagandës së regjimit të [ish-kreut të Jugosllavisë, Slobodan] Milosheviqit, kjo duhet të ketë rëndësi. Në të kundërtën, porosia që po dërgojmë është se nuk ka rëndësi nëse je [presidenti i Ukrainës, Volodymyr] Zelensky apo [presidenti i Rusisë, Vladimir] Putin”, theksoi Osmani.