Siç shihet në një video të fundit nga fronti ukrainas, një ushtar vendas lufton me guxim deri në fund, duke mbrojtur llogoren ku ndodhet nga sulmet e forcave speciale ruse që ndodheshin vetëm pak metra larg tij. Ky ushtar arriti të hidhte dy herë një bombë ruse nga llogorja ku gjendej.
Videoja, e filmuar nga qielli mbi Novotoshkivske, në Luhansk, tregon një grup separatistësh pro-rusë duke avancuar përmes një llogoreje që ndan një fushë djerrë, të shkatërruar nga artileria e rëndë. Pasi rusët qëlluan për vdekje një ushtar ukrainas dhe detyruan pjesën tjetër të tërhiqej, një mbrojtës i vetëm qëndron për t’u përballur me agresorët dhe fillon një betejë e dëshpëruar nga afër.
Mbrojtësi qëllon disa herë me pushkë, duke i detyruar separatistët të tërhiqen për një kohë të shkurtër, por superioriteti numerik i tyre e detyrojnë ukrainasin të struket në një hendek të vogël. Ai vazhdon të luftojë, duke i detyruar trupat pro-ruse të qëndrojnë në llogore. Separatistët tërhiqen dhe fillojnë të hedhin granata në llogore. Njëra prej tyre shpërthen pranë ukrainasit, duke e plagosur në këmbë.
Pavarësisht plagëve, ai vijon të luftojë, duke rrëmbyer një granatë tjetër dhe duke e hedhur në drejtim të rusëve. Por, një tjetër granatë bie pikërisht në këmbët e tij disa sekonda më vonë dhe këtë herë ai nuk është në gjendje t’i shpëtojë shpërthimit. Pasi del një re tymi e zezë dhe e dendur, ukrainasi shihet i shtrirë dhe i palëvizur në baltë.