FC Bayern Munich ka njoftuar zyrtarisht për largimin e Corentin Tolissos.
Mesfushori francez tashmë ka mbetur lojtar i lirë, pasi ka skaduar kontrata e tij me klubin gjerman, shkruan Gazeta Express.
Palët nuk kanë vazhduar bashkëpunimin dhe kështu kanë vendosur që të ndajnë rrugët.
Klubi gjerman e ka falënderuar Tolisson për kontributin e dhënë për kohën sa ishte në “Allianz Arena”.
27-vjeçari te Bayerni kaloi në vitin 2017 nga Lyoni. Ai në total regjistroi 118 paraqitje me “Bavarezët”, teksa shënoi 21 gola.
Tolisso me Bayernin fitoi pesë herë titullin e kampionit në Bundesligë, dy herë trofeun e Kupës së Gjermanisë dhe katër herë Superkupën e Gjermanisë.
Ai gjithashtu fitoi edhe Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube dhe Superkupën e Evropës. /Gazeta Express/